Të paktën 14 persona mund të jenë ende të bllokuar nën rrënojat e një ndërtese banimi, e cila u godit nga një dron rus të dielën në mëngjes në rajonin e Kievit, në Ukrainë, deklaroi presidenti Volodymyr Zelensky. "Një pjesë e një pallati pesëkatësh është shembur pas një sulmi me dron rus. Falënderoj ekipet e shpëtimit për reagimin e shpejtë: nëntë persona janë evakuuar tashmë, ndërsa zjarri është vënë nën kontroll," shkroi Zelensky në platformën X. Zyrtarët vendas bënë të ditur se dy persona, përfshirë një adoleshent, kanë mbetur të plagosur. Pamjet nga shërbimet e emergjencës shfaqin ekipet e shpëtimit duke kërkuar mes një sasie të madhe rrënojash dhe duke ndihmuar banorët të zbresin nga ndërtesa e dëmtuar. Sulmi ka ndodhur në Dymer, në veri të kievit. Autoritetet ukrainase thanë se sulmi ndodhi të dielën në mengjes.