Dy shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Shkodër dhe Vorë, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Njëri prej tyre është dënuar me 7 vite e 11 muaj burg për vjedhje me dhunë dhe vepra të tjera penale, ndërsa tjetri me 4 vite burg për torturë dhe skllavëri.
Policia bën me dije se ndaj të dyve kanë mbetur ende për të vuajtur pjesë të dënimeve dhe se kanë nisur procedurat për ekstradimin e tyre.
U kap në Shkodër shtetasi Aldo Doçaj alias Vuksan Daçaj. Ndërsa në Vorë i arrestua, shtetasi Bukurosh Kuçi.
Njoftimi i policisë:
Finalizohen 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”, nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Shkodër dhe DVP Tiranë.
Kapen në Shkodër dhe në Vorë 2 shtetas në kërkim ndërkombëtar.
Shërbimet Operacionale të Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, si rezultat i kontrolleve dhe i informacioneve të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, kanë finalizuar 2 faza të tjera të operacionit të koduar “Fast”.
-Gjatë fazës së parë u kap në Shkodër dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi A. D. alias V. D., 45 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Romës, e ka dënuar me 7 vjet e 11 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Vjedhja me thyerje”, mbetur në tentativë, “Kundërshtimi i punonjësve që kryejnë detyrë publike” dhe “Dhuna ose kanosja ndaj punonjësit publik”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 5 vjet, 4 muaj e 2 ditë burgim.
-Gjatë fazës së dytë u kap në Vorë dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali shtetasi B. K., 49 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit e Barit, e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga dënimi i kanë mbetur për të kryer 3 vjet, 11 muaj e 3 ditë burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve në Itali.
© SYRI.net