Vendosni fjalën kyçe....

Korça nderon 12 delegatët e Kongresit të Manastirit, ekspozohen për herë të parë dokumente dhe fotografi historike


Korça i kushtoi një vëmendje të veçantë 22 Nëntorit, ditës historike të Kongresit të Manastirit, ku u vendos njësimi i alfabetit të gjuhës shqipe. Në kuadër të aktiviteteve për këtë datë, u nderua kontributi i 12 delegatëve nga Qarku i Korçës, të cilët morën pjesë në Kongresin e Manastirit.

Studiuesi dhe koleksionisti Niko Kotherja prezantoi një ekspozitë historike të kuruar, ku përmes fotografive, dokumenteve dhe botimeve u sollën profilet e 12 personaliteteve korçare që kontribuan në këtë ngjarje të rëndësishme për historinë kombëtare.

Mes figurave të prezantuara ishte edhe Mihal Grameno, për të cilin familjarët ruajnë ende fotografi, libra dhe kujtime të përcjella brez pas brezi.

Kongresi i Manastirit zhvilloi punimet nga 14 deri më 20 nëntor. Gjatë tij, mes alfabeteve të shumta të propozuara, u përzgjodhën tre: alfabeti i Shoqërisë së Stambollit, alfabeti i Shoqërisë “Bashkimi” dhe alfabeti i Shoqërisë “Agimi”.

Njësimi i këtyre alfabeteve, sipas gjuhëtarëve, krijoi bazën e alfabetit që përdorim sot, duke shënuar një moment vendimtar në historinë e gjuhës shqipe.