Një shpërthim i fuqishëm është raportuar në një anije luftarake ruse, e cila ishte ankoruar në bazën detare të Bengazit, në Libi.

Sipas qeverisë që kontrollon pjesën lindore të Libisë, hetimet paraprake sugjerojnë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sulm me dron.


Anija dyshohet të jetë Merkury, një luftanije ruse me vlerë të përafërt prej 150 milionë funtesh.



Autoritetet libiane kanë bërë të ditur se anija kishte ndaluar në portin e Bengazit për t'u furnizuar me karburant dhe pajisje të tjera, gjatë udhëtimit të kthimit drejt Rusisë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale, të cilat raportohet se janë filmuar në portin e Bengazit, tregojnë një shpërthim të madh.

Megjithatë, ende nuk ka konfirmim për shkallën e dëmeve të shkaktuara në anije apo për viktima të mundshme.

Po ashtu, nuk është bërë e ditur se kush mund të qëndrojë pas sulmit të dyshuar me dron. /Telegrafi/