Në fund të vitit 1998, partitë proeuropiane të qendrës së majtë qeverisnin pothuajse në të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Ekonomia po rritej, standardi i jetesës po përmirësohej dhe zgjerimi drejt Lindjes kishte nisur. Gati tri dekada më vonë, sipas “The Guardian”, Europa duket se po lëviz në drejtim të kundërt, me forcimin e partive nacionaliste të ekstremit të djathtë.

Cikli zgjedhor nis më 29 nëntor me zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Spanjë, ku koalicioni socialist i kryeministrit Pedro Sanchez përballet me mundësinë e humbjes përballë Partisë Popullore konservatore dhe partisë së ekstremit të djathtë Vox.

Më pas, në pranverë, Franca do të zhvillojë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Sipas analizës, Marine Le Pen, nga partia e ekstremit të djathtë Tubimi Kombëtar, kryeson garën presidenciale, përpara Jean-Luc Mélenchon dhe kandidatëve të përçarë të partive tradicionale.

Në Poloni, partitë nacionaliste, të cilat së bashku gëzojnë mbështetjen e pothuajse gjysmës së votuesve, mund të rrëzojnë koalicionin liberal të kryeministrit Donald Tusk. Ndërkohë, në Itali, Giorgia Meloni synon një mandat të dytë në zgjedhjet që duhet të zhvillohen përpara fundit të vitit 2027.

Zgjedhje parlamentare priten gjithashtu në Estoni, Finlandë, Greqi dhe Sllovaki, ndërsa në Gjermani do të zhvillohen zgjedhje rajonale.

E djathta ekstreme po rritet, por europianët vazhdojnë të mbështesin BE-në

Sipas “The Guardian”, rritja e partive nacionaliste lidhet me disa faktorë, përfshirë ngadalësimin ekonomik, plakjen e popullsisë, vështirësitë e financave publike dhe rritjen e kostos së jetesës. Këto zhvillime kanë dobësuar mbështetjen për partitë tradicionale të qendrës së majtë dhe të djathtë.

Partitë nacionaliste kanë shfrytëzuar gjithashtu shqetësimet për emigracionin, tranzicionin e gjelbër, mbështetjen për Ukrainën dhe globalizimin. Sipas analizës, këto narrativa janë përforcuar nga dezinformimi rus dhe mbështetja e hapur e administratës së Donald Trump për partitë që ajo i cilëson “patriotike”.

Sot, pothuajse një në katër votues mbështet partitë e ekstremit të djathtë, një përqindje që është rritur gati pesëfish që nga mesi i viteve 1990.

Megjithatë, kjo rritje nuk ka qenë e njëtrajtshme. Ndërsa Alternativa për Gjermaninë shënoi një fitore në zgjedhjet rajonale në lindje të vendit, partia e Geert Wilders humbi pothuajse një të tretën e vendeve parlamentare në Holandë. Në Hungari, partia Fidesz e Viktor Orbanit u mund, ndërsa Demokratët e Suedisë pësuan rënie të mbështetjes për herë të parë në 16 vite.

Paradoksi është se mbështetja e qytetarëve për Bashkimin Europian mbetet në nivele rekord. Rreth 74% e europianëve besojnë se vendi i tyre përfiton nga anëtarësimi në BE, ndërsa shumë pak parti euroskeptike kërkojnë tashmë largimin e plotë nga Unioni.

Megjithatë, këto parti synojnë ta shndërrojnë BE-në në një bashkim më të lirshëm shtetesh, ku qeveritë kombëtare të kenë më shumë pushtet dhe Brukseli më pak kompetenca.

Politologia italiane Nathalie Tocci paralajmëron se cikli i ardhshëm zgjedhor mund të “ndryshojë në mënyrë dramatike fytyrën e Europës”, duke sjellë jo vetëm dobësimin gradual të projektit europian, por edhe zbrazjen e tij nga brenda, madje deri në një shpërbërje të mundshme.

Zgjedhjet mund të bllokojnë vendimmarrjen në Bruksel

Sipas analizës, ndikimi më i madh i zgjedhjeve mund të ndihet në Këshillin Europian, ku aktualisht vetëm tre nga 27 udhëheqësit e vendeve anëtare vijnë nga qendra e majtë.

Nëse deri në fund të vitit 2027 udhëheqës euroskeptikë marrin pushtetin në Francë, Spanjë dhe Poloni, duke iu bashkuar atyre në Çeki, Itali, Rumani, Sllovaki dhe Slloveni, ata mund të krijojnë një pakicë të fuqishme bllokuese.

Edhe pse nuk do të kishin votat e nevojshme për të ndryshuar vetë legjislacionin europian, ata mund të pengonin marrëveshjet për buxhetin e BE-së, zgjerimin e ardhshëm, ndihmën për Ukrainën dhe bashkëpunimin në fusha si mbrojtja, energjia, financat dhe teknologjia.

Sipas Tocci, një numër më i madh aleatësh politikë mund të ndryshojë edhe sjelljen e udhëheqësve aktualë, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni, e cila deri tani ka mbajtur një qëndrim relativisht të përmbajtur ndaj Brukselit.

Franca, beteja kryesore për të ardhmen e BE-së

Analistët e cituar nga “The Guardian” e konsiderojnë Francën vendin ku rezultati i zgjedhjeve mund të ketë ndikimin më të madh.

Programi elektoral i Marine Le Pen parashikon uljen me 11 miliardë euro të kontributit francez në buxhetin e BE-së, organizimin e një referendumi kushtetues për t'i dhënë përparësi ligjit francez ndaj atij europian dhe mosrespektimin e disa rregullave të tregut të përbashkët.

“Franca ka një ndikim shumë të madh në Bashkimin Europian”, thotë Mujtaba Rahman, nga kompania konsulente Eurasia Group.

Sipas tij, ndryshe nga Viktor Orban, një presidente si Marine Le Pen do të kishte shumë më tepër hapësirë për të zbatuar programin e së djathtës ekstreme, që synon dobësimin e strukturës mbikombëtare të BE-së, të bazuar te sundimi i ligjit.

Deri tani, Brukseli ka arritur të kufizojë ndikimin e udhëheqësve si Orban, kryesisht sepse në tryezën e vendimmarrjes kanë qenë rrallë më shumë se dy ose tre udhëheqës me qëndrime të ngjashme.

Por krijimi i një blloku të bashkuar euroskeptik mund ta vështirësonte zbatimin e standardeve të shtetit të së drejtës, thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të sigurisë, si dhe arritjen e marrëveshjeve të përbashkëta. Sipas analizës, Ukraina mund të ishte ndër të parat që do të prekej nga një bllokim i ndihmës europiane.

Stefan Lehne, nga qendra kërkimore Carnegie Europe, vlerëson se zgjedhjet e ardhshme mund të kthehen në “prova vendimtare për qëndrueshmërinë e Bashkimit Europian”.

“Një rol më i madh i së djathtës radikale mund të mos çojë në shpërbërjen e BE-së siç ekziston sot, por mund ta pengojë atë të bëhet ajo që duhet të jetë për t'u përballur me sfidat e së ardhmes”, shprehet Lehne.

Sipas tij, nëse vendet anëtare nuk arrijnë të veprojnë së bashku për një kohë të gjatë, Bashkimi Europian rrezikon të humbasë gradualisht rëndësinë e tij në arenën ndërkombëtare./TheGuardian