Thirrja për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama po shoqëron mobilizimin e protestuesve në Tiranë, të cilët kanë paralajmëruar një protestë të madhe më 28 Nëntor, në Ditën e Pavarësisë. Në murin përpara Kryeministrisë është shkruar me bojë të zezë mesazhi “28 nëntor – Dorëheqje!”, duke e kthyer edhe një herë godinën e qeverisë në simbol të pakënaqësisë së tyre.
Protestuesit paralajmërojnë se tubimi i së shtunës do të jetë më i madh se protestat e zhvilluara deri më tani dhe se në të pritet të marrin pjesë edhe shqiptarë nga diaspora. Thirrja është që më 28 dhe 29 Nëntor qytetarët të mblidhen në kryeqytet për të kërkuar largimin e qeverisë dhe përgjegjësi për atë që e konsiderojnë keqqeverisje dhe dhunë ndaj protestuesve.
Studentja Iris Kola, duke folur për protestën, është shprehur se lëvizja nuk do të ndalet: “Nuk do të arrijnë ta fikin dot zjarrin që është ndezur. Ne e kemi mposhtur frikën.” Një mesazh që tregon vendosmërinë e një pjese të të rinjve për të vijuar protestat.
Edhe pedagogu Erion Selmani e ka cilësuar protestën e 28 Nëntorit si një mobilizim mbarëkombëtar, duke thënë se diaspora është nisur drejt Tiranës. Ai ka kundërshtuar gjithashtu takimin e zhvilluar nga Edi Rama me një grup të rinjsh, duke pretenduar se ata nuk përfaqësojnë studentët dhe protestuesit që janë në rrugë.
Ndërkohë, sipërmarrësi Asim Prengezaj u ka bërë thirrje shqiptarëve që të bashkohen në Tiranë më 28 dhe 29 Nëntor. Ai ka kërkuar gjithashtu që të ketë përgjegjësi për efektivët e policisë të akuzuar për dhunë ndaj protestuesve, duke pritur që ndaj tyre të merren masa ligjore.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama e ka cilësuar takimin me një grup studentësh si një dialog me të rinj që besojnë te protesta, por jo te përdorimi i gurëve. Kjo qasje është kundërshtuar nga Selmani, i cili vë në pikëpyetje përfaqësimin e lëvizjes nga të rinjtë e takuar në Kryeministri.
Përplasja mes qeverisë dhe protestuesve vijon, ndërsa 28 Nëntori po shihet nga organizatorët si një moment i rëndësishëm për të treguar përmasat e pakënaqësisë qytetare. Tashmë mbetet për t'u parë nëse thirrjes për protestë do t'i përgjigjen mijëra shqiptarë nga vendi dhe diaspora.