Tirana humbet mundësinë për t’u afruar me skuadrat e kreut, pasi nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në transfertën ndaj Vorës. Përballja e fundit e javës së 12-të të Abissnet Superiores u mbyll pa gola, me të dyja ekipet që ndanë nga një pikë.
Ndeshja ishte e luftuar, por me pak raste të pastra shënimi, ndaj asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës.
Me këtë rezultat, Tirana shkon në kuotën e 16 pikëve, pas 12 javësh kampionat, me bilancin e katër fitoreve, katër barazimeve dhe katër humbjeve. Bardheblutë mbajnë vendin e gjashtë, me golavarazh 15:15, vetëm një pikë larg Skënderbeut, AF Elbasanit dhe Dinamo City, që ndajnë vendet nga i treti në të pestin me nga 17 pikë.
Edhe Vora ruan pozicionin e saj në tabelë. Skuadra shkon në 13 pikë, me tri fitore, katër barazime dhe pesë humbje, si dhe golavarazhin 13:21. Ajo renditet në vendin e tetë, dy pikë pas Vllaznisë së vendit të shtatë dhe dy pikë përpara Laçit, që ka 11 pikë.
Në fund të klasifikimit vijon të qëndrojë Partizani me 10 pikë.
Barazimi në Vorë mbyll javën e 12-të të kampionatit, por gara mbetet e hapur si për zonën e sipërme të renditjes, ashtu edhe për skuadrat që kërkojnë të largohen nga fundi i tabelës.

