Dështojnë negociatat në COP31, BE-ja kundërshton draft-marrëveshjen për klimën
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Klimën, COP31, që po mbahet në Antalia të Turqisë, ka dështuar të arrijë një marrëveshje, pasi Bashkimi Evropian ka kundërshtuar zyrtarisht draftin e fundit të dokumentit përfundimtar.
Kryesuesi i samitit ka konfirmuar se marrëveshja nuk është miratuar, ndërsa negociatat po vazhdojnë edhe dy ditë pas afatit të paraparë për përfundimin e konferencës. Kjo situatë është cilësuar si një zhvillim pothuajse i paprecedentë, raporton BBC.
Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë akuzuar disa shtete prodhuese të naftës se kanë penguar dhe marrë nën kontroll procesin e negociatave. BE-ja ka kërkuar që në marrëveshje të rikthehet zotimi për largimin gradual nga karburantet fosile, por as drafti i katërt nuk përmban ndonjë përmendje të tyre.
Ndërkohë, Rusia ka mbrojtur qëndrimin kundër përfshirjes së këtij zotimi në marrëveshje, pas kërkesës së shteteve prodhuese të naftës, të udhëhequra nga Arabia Saudite, për largimin e tij nga dokumenti. Në fjalimin e saj, Rusia ka kritikuar drejtpërdrejt edhe Bashkimin Evropian.
Drafti i fundit pranon gjithashtu se objektivi i përcaktuar në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015, për kufizimin e rritjes së temperaturës globale nën 1.5 gradë Celsius, nuk do të arrihet. Sipas vlerësimeve të përfshira në dokument, tejkalimi i këtij kufiri do të sjellë përshkallëzim të ndjeshëm të pasojave të ndryshimeve klimatike.
COP31 tashmë është bërë samiti më i gjatë i klimës në histori, me negociatat që kanë vazhduar përtej afatit zyrtar të përfundimit.
Në rast se shtetet nuk arrijnë konsensus, negociatat mund të pezullohen deri vitin e ardhshëm. Një situatë e tillë ka ndodhur vetëm një herë më parë në historinë e konferencave COP.















