Modelja dhe influencuesja Alice Campello ka zbuluar se do të dëshironte të bëhej sërish nënë dhe të kishte një fëmijë të pestë me bashkëshortin e saj, futbollistin Álvaro Morata.

Megjithatë, duket se kjo dëshirë nuk është plotësisht e përbashkët, pasi sulmuesi spanjoll nuk e mbështet për momentin këtë ide.


Në një intervistë për Javi Hoyos, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Los40 Music Awards”, 31-vjeçarja foli hapur për mundësinë e zgjerimit të familjes. Ajo tregoi se, megjithëse tashmë kanë katër fëmijë, do të dëshironte që pas disa vitesh ta përjetonte edhe një herë mëmësinë.


“Alvaro nuk e mbështet idenë. Unë e ndiej këtë dëshirë. Fëmijët po rriten dhe pas disa vitesh do të doja të kisha edhe një tjetër. Por kemi aq shumë gjëra që ndodhin, saqë kur ia përmend Alvaros, ai më thotë: ‘Je e çmendur!’”, rrëfeu Campello duke qeshur.

Ajo shtoi se e kupton qëndrimin e bashkëshortit, duke pasur parasysh angazhimet dhe përgjegjësitë që kanë si familje. Megjithatë, nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen dëshira e saj të bëhet realitet.

Alice Campello dhe Alvaro Morata janë prindër të katër fëmijëve. Binjakët Alessandro dhe Leonardo erdhën në jetë më 29 korrik 2018, ndërsa në vitin 2020 familja u bë me një tjetër djalë, Edoardo. Fëmija i katërt, vajza Bella, lindi më 9 janar 2023.

Çifti, që tashmë është vendosur sërish në Madrid, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së mediave rozë.

Ndërkohë, Campello foli edhe për kujdesin ndaj fëmijëve në raport me profesionin e saj dhe ekspozimin në rrjetet sociale, duke theksuar se është e rëndësishme t'i edukojë ata për rreziqet që mund të sjellë kjo botë.


“Duhet të jesh e kujdesshme, veçanërisht me rrjetet sociale”, ishte mesazhi i saj për këtë çështje. /Telegrafi/