Një person është arrestuar në Gjilan, nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët në Kosovë dhe diasporë, duke pretenduar se vuante nga sëmundja e leukemisë akute dhe duke kërkuar ndihmë financiare për trajtim dhe rehabilitim.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Gjilan, i dyshuari me inicialet E.A. dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një ngjarje të pavërtetë, duke pretenduar se ishte i prekur nga kjo sëmundje, ndonëse verifikimet e historisë së tij kishin treguar se nuk vuante nga leukemia akute.


Përmes një fushate për mbledhjen e donacioneve, përfshirë edhe platformën “GoFundMe”, ai dyshohet se kishte arritur të grumbullonte gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.

Prokuroria bën të ditur se, pas marrjes së informacioneve për rastin, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke bllokuar paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara.

I dyshuari ishte vendosur në kërkim policor, ndërsa është arrestuar më 21 nëntor, rreth orës 22:00.

Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, nga neni 323 i Kodit Penal të Kosovës.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afateve ligjore do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Gjilan.

I dyshuari prezumohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.