Drita e fiton dramën e shtatë golave ndaj Feronikelit ‘74

Kampionia e Kosovës Drita ka marrë një fitore të madhe në shtëpi ndaj Feronikelit ’74, në kuadër të xhiros së 14-të në Superligën e Kosovës.
“Intelektualët” arkëtuan pikët e plota me rezultat 4-3, sfidë ku u nevojiten shtatë gola për ta vulsour fituesin.
Mysafirët e nisën për mrekulli për të kaluar në epërsi vetëm pas dy minutave falë Albin Prapashticës (2’).
Sidoqoftë, Drita barazoi falë Besnik Krasniqit që shënoi pas një aksioni të shpejtë (16’).
Vetëm gjashtë minuta më vonë, Eduard Rroca e përmbysi epërsinë pas bashkëpunimit me Krasniqin (23’).
Nikli megjithatë s’u dorëzua për të barazuar përmes Ibrahim Cërvadikut që mori një asistim nga Prapashtica (37’).
Drita sërish e ktheu epërsinë falë Blerim Krasniqit që u asistua nga Oniks Grezda (48’).
Mirëpo, gjashtë minuta më vonë – klubi nga Drenasi barazoi falë Lorik Dobratiqit (54’).
Sidoqoftë, Drita shënoi sërish për ta marrë fitoren falë Grezdës, që e vulosi triumfin me një gol të bukur (61’).
Drita kësisoj renditet në pozitën e tretë me 27 pikë ndërsa Nikli në vendin e shtatë me 15 sosh./Telegrafi/







































