Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka refuzuar që të shkojë në spitalin Memorial të Fierit për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë.
Ditën e nesërme ishte planifikuar ndërhyrja kirurgjikale, ndërsa Veliaj duhej të paraqitej sot në spital për konsultat dhe analizat.
Pas refuzimit, Veliaj ka reaguar duke shprehur se nuk mund t’i besojë jetën kryeministrit Rama, personi që sipas tij e internoi në Fier.
“E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.
Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?
Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time”, ka deklaruar Veliaj nga paraburgimi i Fierit.













