Kronika kthen kusure, nxjerr dekrete dhe lë detyra! Nga Preç Zogaj
Çfarë nuk ka provuar Partia Demokratike, forca më e madhe e opozitës parlamentare, për ta mundur dhe larguar kryeministrin Rama pas ardhjes së tij në pushtet në vitin 2013.
E provoi me Bashën kryetar dhe Berishën në rolin e “kryetarit mbi kryetarin”. Po e provon sërish me Berishën në krye de jure dhe de facto, të rizgjedhur pa garë. E provoi me obstruksionizëm dhe bojkote parlamentare, duke shkuar deri në bojkotimin e plotë të zgjedhjeve vendore. E provoi me djegien e mandateve — një akt me kuptimin e “daljes në mal”, ndonëse një skenar të tillë nuk e lejon korniza e integrimit euroatlantik të vendit.
Provuan me protesta pa mbarim, mjaft prej të cilave në kufijtë e të dhunshmes, sidomos ato që pasuan djegien e mandateve. E provuan edhe me zgjedhje, duke u shkrirë elektoralisht në një listë të përbashkët me Partinë e Lirisë në parlamentaret e vitit 2025.
Aty humbja rezultoi disa herë më e thellë se ajo e shumatores Basha-Kryemadhi në vitin 2021. Ndonëse mbeti brenda parashikimeve dhe marzhit të gabimit të sondazheve të firmave ndërkombëtare e vendase që mbuluan ato zgjedhje.
Përveç dëshpërimit dhe stresit, kjo gjendje e ngrirë — për të mos thënë fataliste — ka ushqyer në radhët e opozitës mitin se Rama është i pathyeshëm përmes protestave paqësore dhe zgjedhjeve. Edhe pse politikanët e saj kryesorë nuk e artikulojnë qartazi, mes rreshtave lihet të kuptohet se ai mund të rrëzohet vetëm me dhunë. Ndërkohë, zëra pranë saj, opinionistë që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi publike për çfarë thonë, e predikojnë hapur dhunën si të vetmen rrugëdalje.
Por pathyeshmëria e Ramës, kështu siç paraqitet, është një mit i rremë. Askush nuk është i pathyeshëm. Aq më pak një politikan si Rama dhe një qeveri si e tija — e rënduar nga rekorde korrupsioni të hetuara e në hetim, me aleanca elektorale me banda kriminale (shumë syresh tashmë në pranga) dhe me një numër alarmant qytetarësh në kufijtë e varfërisë e të përjashtimit social, që sipas INSTAT-it kap rreth dyzet për qind të familjeve.
Më shumë dhe më keq se i rremë, ky është një mit komforti për një opozitë që ka provuar gjithçka, siç e thamë më lart, por ka shmangur mjetet kryesore dhe efikase.
Kjo vlen sidomos për një parti që nuk humbet në fotofinish me një grusht votash — rast në të cilin qeveria do të akuzohej me zë të lartë nga BE dhe SHBA për tjetërsim të vullnetit të shumicës — por humbet me një diferencë të konsiderueshme, madje të thellë.
Hapat e paprovuar fillojnë me rinovimin e lidershipit pas çdo humbjeje, përmes zgjedhjeve të lira, të drejta e të barabarta për kryetarin e partisë dhe ekipin e tij. Përtëritja e partisë me gjak të ri ka vlerë dhe ndodh rëndom në PD. Por kur ky proces ndalon te kupola, ndodh si me shartimin e gjetheve të reja në një trung të vjetër: në vend që të gjallërohet trungu, thahen gjethet.
Bashkë me lidershipin, duhet rinovuar edhe ligjërimi politik, duke u shkëputur nga format shabllone e grimasat standarde dhe duke vendosur në boshtin e komunikimit më shumë kreativitet, arsye, kulturë, qytetari dhe klas.
Është aksiomë e njohur politike se një opozitë vjen në pushtet vetëm kur pëlqyeshmëria për të kapërcen kufijtë e vetë opozitarizmit.
Nuk po zgjatemi te diferenca që opozita duhet të bëjë në debatin për buxhetin e shtetit dhe ligjet e rëndësishme, ku kritika profesionale vlen vetëm kur shoqërohet me amendamente të mirëllogaritura me fatura financiare. Këto propozime mund të mos merren parasysh nga një qeveri që ka programin e vet, por i tregojnë publikut një opozitë me alternativa bindëse, të gatshme për t’u votuar nesër.
Opozita nuk mund të fitojë pa ndryshuar vetë. Mosndryshimi është hendikapi i saj i madh dhe, njëkohësisht, dhurata më e çmuar për qeverinë dhe vetë Ramën. I vetëdijshëm për këtë, Berisha përpiqet ta kompensojë këtë mangësi duke e sulmuar Ramën “shumë fort” në rrafshin verbal, por pa efektivitet dhe, për rrjedhojë, keq.
Në këtë mënyrë, ai mëton të duket më i forti para ndjekësve dhe publikut — ashtu siç do të duhej të ishte në fakt kreu i partisë më të madhe opozitare. Por sa kohë që kjo qasje, në rastin më të mirë, e lë në vendnumëro diferencën mes PS-së dhe PD-së, ajo rezulton më se komode për kryeministrin. Kështu, miti i pathyeshmërisë së Ramës shndërrohet në një mit komforti për opozitën e Berishës. Rehat të gjithë! Secili me të vetat!
Rama duhet të ishte larguar — dhe do të ishte larguar — nëse nuk do të kishte përfituar gratis nga një seri gabimesh dhe mosrinovimi i opozitës. Në hapësirën demokratike europiane dhe euroatlantike, ku bën pjesë Shqipëria jonë e vogël, nuk mund të ketë kryeministër të palargueshëm.
Si largohet Rama?
Me krizë parlamentare, një skenar që për momentin duket utopik.
Me protesta të forta popullore, të cilat duhet të plotësojnë dy kushte: të jenë masive dhe të jenë paqësore. Paqësore jo si në kishë apo xhami, por shpirtërisht të zjarrta e të vendosura. Pjesëmarrja masive e ndal orën e kryeministrit. Në fund të majit dhe gjatë qershorit, bulevardi “Dëshmorët e Kombit” dëshmoi në dy-tre raste se Tirana dhe Shqipëria e kishin atë det protestuesish paqësorë që i urdhëruan Ramës largimin. Radikalizmi dhe aktet e dhunës së disa vektorëve e tkurrën protestën, por verdikti popullor mbetet gjallë. Rikthimi masiv i qytetarëve në bulevard është tashmë një çështje besimi tek ata që i thërrasin dhe u prijnë. Radikalizmi u shkon zakonisht grupeve me kërkesa sindikaliste. Kërkesat politike për largimin e qeverisë, zgjedhjet e parakohshme dhe reformimin e sistemit nuk mund dhe nuk duhet të arrihen me dhunë. Dhuna do ta bënte shtetin lëmsh në vazhdimësi, pa harruar të vërtetën e hidhur se kush vjen me dhunë, do të qeverisë dhunshëm.
Me SPAK-un, nëse drejtësia hap një hetim penal ndaj tij.
Me zgjedhje, përmes idesë së një opozite plurale dhe të institucionalizuar si e tillë. A mund të shndërrohet kjo ide në një projekt konkret? Le ta lëmë si temë për shkrimin e ardhshëm.
Top Channel