Britania e Madhe po përgatitet për një të ardhme ku avionët luftarakë nuk do të kenë më nevojë për pilotë në kabinë. Kreu i Forcave Ajrore Britanike, Sir Harv Smith, ka deklaruar se zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe i avionëve pa pilot mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si zhvillohen luftimet ajrore në të ardhmen e afërt.
Kreu i Forcave Ajrore Britanike e bëri këtë paralajmërim ndërsa foli për “Tempest”, avionin e ri luftarak që Britania po zhvillon së bashku me Italinë dhe Japoninë. I projektuar për të qenë më i vështirë për t'u zbuluar nga radarët, avioni po ndërtohet në kuadër të një programi që kushton miliarda paund dhe ku marrin pjesë kompania britanike BAE Systems, ajo italiane Leonardo dhe kompania japoneze Aircraft Industrial Enhancement Company.
“Tempest” pritet të hyjë në shërbim në vitin 2035, por sipas Smith, ai mund të jetë edhe avioni i fundit luftarak me pilot që do të ndërtojë Britania, përpara se teknologjia t'i japë një rol gjithnjë e më të madh avionëve pa pilot dhe inteligjencës artificiale.
Ndërkohë, Britania ka njoftuar se avionët luftarakë pa pilot do të nisin fluturimet në hapësirën e saj ajrore që në vitin 2027. Ata do të përdoren krahas avionëve aktualë, të cilët do të vazhdojnë të drejtohen nga pilotë.
Britania përdor tashmë avionë pa pilot për vëzhgim dhe operacione të armatosura. Një prej tyre, i quajtur “Protector”, mund të qëndrojë në ajër për rreth 40 orë.
Edhe Shtetet e Bashkuara po testojnë këtë teknologji. Gjatë një prove në Kaliforni, një avion luftarak me pilot i dha komanda një avioni pa pilot që fluturonte pranë tij. Ky i fundit i interpretoi udhëzimet dhe kreu manovra gjatë një simulimi luftarak.
Smith e krahasoi këtë ndryshim me kalimin nga avionët me helikë tek ata me motorë reaktivë, duke theksuar se inteligjenca artificiale mund të sjellë një transformim të ngjashëm në aviacionin ushtarak.






Komente
Komento