Real Madrid ka regjistruar të ardhura rekord prej më shumë se 1.2 miliardë eurosh për sezonin 2025-2026, duke forcuar pozicionin si klubi me fuqinë më të madhe financiare në futboll dhe duke zgjeruar diferencën me Bayern Munich.
Shifrat u bëhen të ditura nga presidenti Florentino Perez gjatë mbledhjes së përgjithshme vjetore të klubit, ku u prezantua edhe buxheti për sezonin 2026-2027, në vlerën 1.25 miliardë euro. Sipas Perezit, është hera e parë që klubi madrilen kapërcen pragun e 1.2 miliardë eurove të ardhura, një rezultat që ai e cilësoi të pashembullt për një organizatë sportive.
Edhe treguesit e tjerë financiarë shënuan rekorde. Fitimi para interesave, taksave, amortizimit dhe zhvlerësimit (EBITDA) arriti në 287.4 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë nga klubi. Ndërkohë, fitimi neto pas taksave ishte 26 milionë euro, me një rritje prej 8% krahasuar me sezonin e mëparshëm.
Perez vuri në dukje edhe pozicionin e Real Madridit në renditjet ndërkombëtare. Sipas Forbes, klubi është më i vlefshmi në futbollin botëror për të pestin vit radhazi, ndërsa Deloitte e rendit të parin për nga të ardhurat. Edhe Brand Finance e vlerëson si markën më të vlefshme dhe më të fortë në futboll.
Presidenti madrilen theksoi gjithashtu rëndësinë e partneriteteve me kompanitë dhe ofruesit e teknologjisë, të cilat, sipas tij, do t’i mundësojnë klubit të përfitojë nga ekspertiza dhe zgjidhjet e reja, veçanërisht në aktivitetet sportive.
Në krahun tjetër, Bayern Munich po i afrohet pragut të një miliard eurove të ardhura dhe ka shënuar gjithashtu një rekord, duke arritur në 500 mijë anëtarë. Megjithatë, ritmi i rritjes financiare të klubit gjerman ishte më i ulët: rreth 1% kundrejt 3.1% të Real Madridit.
Diferenca mes të ardhurave të dy klubeve llogaritet në rreth 233 milionë euro. Megjithatë, krahasimi kërkon kujdes, pasi klubet nuk përdorin plotësisht të njëjtat kritere kontabël. Real Madrid, në veçanti, i përjashton shprehimisht të ardhurat nga transferimet e lojtarëve nga shifra e të ardhurave operative.

