Në Portugali këtë fundjavë dominuan Marco Bezzecchi dhe Aprilia, por vëmendja u përqendrua te Marc Marquez, i cili u shpall kampion bote për herë të 10 në karrierë. Piloti spanjoll mbylli garën në pistën e Portimaos në vendin e tetë, pozicion që i mjaftoi për të fituar titullin, edhe pse në fazën e parë të sezonit kjo nuk dukej e mundur, pasi ai ishte deri në 102 pikë pas Marco Bezzecchit në renditjen e përgjithshme. Italiani i Aprilias ishte fituesi i garës së parafundit të kampionatit.
Gara në Portimao nisi në mënyrën më të mirë për Marquez, i cili mori kryesimin, por pas xhiros së tretë ai filloi të ulë ritmin dhe u parakalua nga shumë pilotë. Në xhiron e gjashtë, Pedro Acosta u rrëzua dhe u detyrua të tërhiqej, pavarësisht tentativave për t’u rikthyer në pistë. Ndërkaq, Aprilia pati një performancë të fortë me Bezzecchin, Jorge Martin dhe Raul Fernandez; ky i fundit qëndroi në krye të garës deri në xhiron e 15, kur Bezzecchi bëri parakalimin dhe mori udhëheqjen.
Gjatë garës, Marquez humbi pozicione duke u parakaluar nga Di Giannantonio, Ogura dhe Brad Binder, ndërsa Luca Marini iu afrua por nuk arriti ta sulmojë. Në xhiron e fundit Marquez kaloi Moreirën, që rrëshqiti në fund, dhe e mbylli garën në vendin e tetë. Ky rezultat i dha Marquez titullin botëror për të dytin vit radhazi dhe të dhjetin në karrierë, duke përfshirë edhe titujt e fituar në klasat 125 kubikë e Moto2.
Me këtë sukses, Marc Marquez la pas Valentino Rossin, i cili ka në total 9 tituj, dhe barazoi legjendën tjetër italiane Giacomo Agostini për numrin e titujve të fituar në klasën botërore. Përsa i përket podiumit të garës së Portimaos, pas Bezzecchit u renditën Jorge Martin në vendin e dytë dhe Raul Fernandez në vendin e tretë. Top Channel.
