Shpërthimi ndodhi të dielën në agim, ndërsa anija ishte ndalur në port për t'u furnizuar me karburant dhe pajisje të nevojshme, gjatë rrugës së kthimit për në Rusi, raportojnë mediat shtetërore libiane, duke iu referuar qeverisë lindore, raporton BBC.

Sipas njoftimit, zona është siguruar dhe nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Autoritetet ruse ende nuk kanë reaguar lidhur me incidentin.

Pamjet satelitore të kompanisë Planet Labs PBC, të shqyrtuara nga BBC Verify, tregojnë një anije në flakë në portin e Bengazit në orën 05:47 GMT. Një fotografi tjetër, e realizuar disa orë më vonë, duket se tregon të njëjtën anije pjesërisht të fundosur.

Ndërkohë, videot e publikuara në rrjetet sociale dhe të verifikuara nga BBC Verify tregojnë anijen të përfshirë nga flakët dhe tymi, në orët e hershme të mëngjesit.

Qeveria e Stabilitetit Kombëtar (GNS), e cila vepron në Libinë lindore, bëri të ditur se anija ruse po përdorte portin e Bengazit në kuadër të një marrëveshjeje ekzistuese detare.

GNS njoftoi se incidenti është nën hetim dhe se autoritetet libiane janë duke bashkëpunuar me palën ruse për të përcaktuar burimin e sulmit të dyshuar dhe përgjegjësit për të.

Në deklaratë, kjo qeveri theksoi se Libia nuk është palë në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës dhe as në ndonjë konflikt tjetër jashtë kufijve të saj.

Ndërkaq, qeveria e njohur ndërkombëtarisht me seli në Tripoli, Qeveria e Unitetit Kombëtar (GNU), paralajmëroi kundër strehimit të forcave të huaja dhe lejimit të përdorimit të objekteve vendore nga to.

Në një deklaratë të publikuar nga mediat shtetërore, GNU tha se veprime të tilla ngjallin shqetësime serioze për rreziqet që mund të vijnë nga përfshirja e porteve dhe objekteve civile në aktivitete të lidhura me konflikte të jashtme, duke rrezikuar jetën e qytetarëve dhe sigurinë e infrastrukturës dhe aseteve kombëtare.

Libia është përballur me dhunë dhe paqëndrueshmëri që nga rrëzimi i udhëheqësit Muammar Gaddafi në vitin 2011, gjë që çoi në ndarjen e vendit dhe krijimin e dy qeverive rivale.

Porti i Bengazit ndodhet më shumë se 2.000 kilometra larg kryeqytetit rus, Moskës.