Një stuhi jashtëzakonisht e fuqishme ka shkaktuar shkatërrime të mëdha në jug të Brazilit, duke lënë të paktën 5 persona të vdekur dhe 265 të tjerë të plagosur.
Fenomenti ekstrem goditi gjatë natës së të premtes, në shtetin Rio Grande do Sul, me erëra që arritën shpejtësinë deri në 114 kilometra në orë, raporton CNN.
Bilanci i dëmeve materiale është dramatik. Sipas autoriteteve lokale, rreth 8 mijë nga 8.600 banesat e qytetit janë dëmtuar nga stuhia, e cila në më pak se një orë shkuli çatitë e ndërtesave, shembi mure, rrëzoi pemë dhe shtylla elektrike.
Për shkak të dëmtimeve të mëdha në infrastrukturë, zona mbeti pa energji elektrike dhe ujë të pijshëm.
Qyteti Tupanciretã ka rreth 20 mijë banorë dhe një pjesë e madhe e tyre u detyruan të largoheshin nga banesat për shkak të rrezikut dhe dëmeve të shkaktuara. Rreth 40 persona u strehuan përkohësisht në qendra publike, sipas Mbrojtjes Civile të shtetit.
Qeveria federale braziliane shpalli zonën në gjendje fatkeqësie, duke u mundësuar ministrive të mobilizojnë fonde dhe burime për të ndihmuar banorët e prekur.
Rreth 200 ushtarakë janë angazhuar në terren për largimin e mbeturinave, pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e kushteve normale të jetesës.
Ndërkohë, një ekip mjekësor është dërguar për të vlerësuar gjendjen e sistemit shëndetësor lokal, pasi edhe spitali i qytetit pësoi dëmtime nga stuhia.

