Tre objektet që hynë në hapësirën ajrore të Polonisë të premten dhe më pas u rrëzuan ishin raketa ruse të tipit Kh-101. Ky është përfundimi paraprak i prokurorëve polakë, të cilët kanë analizuar mbetjet e gjetura pas incidentit.
Prokuroria e distriktit të Lublinit bëri të ditur të dielën se ekzaminimi fillestar i pjesëve të mbetura tregon se raketat janë prodhuar në tremujorin e katërt të vitit 2026, në një objekt industrial në Dubna, në rajonin e Moskës.
“Gjetjet paraprake nga ekzaminimi i mbeturinave tregojnë se raketat, të cilat fluturuan në hapësirën ajrore polake para se të rrëzoheshin, u prodhuan në tremujorin e katërt të vitit 2026 në objektet në Dubna, distrikti i Moskës, në Rusi”, deklaruan prokurorët, të cilëve qeveria polake u kishte kërkuar të hetonin incidentin.
Fillimisht, autoritetet kishin lënë të hapur mundësinë që një prej objekteve të ishte dron. Megjithatë, analizat e mëtejshme kanë çuar në identifikimin e të trejave si raketa Kh-101.
Incidenti ndodh në një periudhë kur vendet e krahut lindor të NATO-s kanë raportuar vazhdimisht hyrje të dronëve dhe mjeteve të tjera ajrore në hapësirën e tyre gjatë luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Këto raste kanë shtuar shqetësimet për sigurinë rajonale dhe rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi të shtunën se Aleanca do të mbrojë çdo centimetër të territorit polak.
Ndërkohë, të hënën në Bruksel pritet të zhvillohet një takim i Këshillit të Atlantikut të Veriut, ku aleatët do të diskutojnë shkeljen e hapësirës ajrore polake.

