Një shirit i kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur”, i vendosur mbi targat e një makine, u kthye në një nga gjurmët që ndihmuan hetuesit të zbardhnin grabitjen e një agjencie udhëtimi dhe këmbimi valutor në Ballsh. Autorët dyshohet se kishin përdorur dy automjete, një prej të cilave për të kamufluar lëvizjet dhe krijuar një alibi.
Ngjarja ndodhi më 26 mars të këtij viti, kur nga agjencia u morën rreth 43 mijë euro dhe 1 milion lekë. Pas disa muajsh hetime, Prokuroria e Fierit ka përfunduar dosjen dhe ka kërkuar dërgimin për gjykim të tre personave të dyshuar për përfshirje në grabitje.
Sipas dosjes hetimore, në orën 16:17, Ferat Shehaj, punonjës i agjencisë, u largua për pak çaste nga ambientet e punës për të marrë automjetin e tij, të parkuar rreth 100 metra më tutje. Në tavolinë kishte lënë një çantë shpine, ku ndodheshin 38 mijë euro, 4 mijë paund dhe rreth 1 milion lekë.
Në këtë moment, në agjenci hyri një person i maskuar, i veshur me të zeza, me kapuç, kapele dhe doreza. Ai mori çantën me paratë dhe u largua menjëherë, pa prekur sendet e tjera që ndodheshin në tavolinë.
I dyshuari u largua me një Audi A4 të zi, me portobagazh, në drejtim të Hekalit, Klosit dhe më pas Fierit. Shehaj u vu në ndjekje të automjetit dhe njoftoi policinë. Në dëshminë e tij ai përshkroi edhe një detaj të pazakontë, targat e makinës ishin mbuluar me një shirit të kuq ku shkruhej “Çifti, jetë të lumtur”.
Ky detaj u bë një nga pistat kryesore të hetimit. Pas verifikimit të kamerave të sigurisë, hetuesit identifikuan automjetin dhe zbuluan se disa orë para grabitjes, njëri prej të dyshuarve kishte blerë një shirit të tillë në dyqanin “Gold Flower” në Fier.
Hetimet zbuluan edhe përdorimin e një automjeti të dytë, një Honda Jazz të zezë, të marrë me qira po atë ditë në Fier nga Anna Meissane Boudiaf. Sipas prokurorisë, në sigurimin e makinës dyshohet se kanë ndihmuar edhe dy personat e tjerë nën hetim.
Pamjet filmike të administruara nga prokuroria dokumentojnë lëvizjet e të dyshuarve që prej orëve të paradites. Në orën 10:53, Audi i zi është filmuar duke mbërritur në një servis automjetesh në aksin Fier–Patos, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë. Nga makina kanë zbritur tre personat, të cilët më pas kanë marrë Honda Jazz-in.
Në orën 11:47, kamerat kanë regjistruar njërin prej tyre pranë dyqanit të luleve, ku u ble shiriti i kuq që më vonë u përdor për të mbuluar targat e Audit.
Sipas analizës së prokurorisë, Honda Jazz dyshohet se është përdorur për të kamufluar lëvizjet dhe për të krijuar një alibi për personin që kreu grabitjen. Si pjesë e provave janë administruar edhe të dhënat GPS të automjetit, të cilat dokumentojnë itinerarin e tij gjatë ditës së ngjarjes dhe rifillimin e qarkullimit pas orës 18:39.
Në dosje përfshihet gjithashtu një komunikim në Messenger mes Ferat Shehajt dhe një të njohuri të tij që jetonte në Greqi. Sipas materialeve hetimore, ky person i kishte përcjellë Shehajt një mesazh ku thuhej se vëllai i njërit prej të dyshuarve kishte pranuar se grabitjen e kishte kryer pikërisht ai.
Motivi i përmendur lidhej me një konflikt të mëparshëm mes të dyve, pasi Shehaj nuk i kishte prerë një biletë avioni të dyshuarit. Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, njëri prej personave nën hetim ka deklaruar se kishte ndihmuar një të njohur për të marrë një automjet me qira në Fier, duke dhënë detaje për takimin dhe lëvizjet e asaj dite.
Tre persona kërkohen për gjykim
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria e Fierit u ka atribuar tre të dyshuarve role të ndryshme në realizimin e grabitjes. Sipas akuzës, Gëzim Fejzulla dyshohet si organizator dhe ekzekutor i vjedhjes, Anna Meissane Boudiaf dyshohet se ka ndihmuar në krijimin e alibisë përmes automjetit me qira, ndërsa Arsen (Odise) Saliaj dyshohet se ka kontribuar në sigurimin e makinës dhe organizimin e lëvizjeve.
Prokuroria ka kërkuar dërgimin e të treve në gjyq, të akuzuar për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim me pasoja të rënda. Përgjegjësia e tyre do të përcaktohet nga gjykata.

