Drejtori i Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Jay Clayton, deklaroi se Vladimir Putin nuk është mik i Amerikës për çështjen e Ukrainës, duke bërë një dallim mes marrëdhënieve diplomatike me udhëheqësin rus dhe qëndrimit të Moskës ndaj luftës.
Në një intervistë për programin “This Week” të ABC News, të dielën, Clayton u pyet për deklaratat e fundit të presidentit Donald Trump, i cili e kishte cilësuar Putinin si mik pas takimit mes liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës.
“Ai nuk është miku i Amerikës në Ukrainë. Aspak”, u përgjigj shefi i inteligjencës amerikane.
Megjithatë, Clayton e konsideroi të përshtatshëm përdorimin e termit “mik” nga Trump në kontekstin e bisedimeve mes tre fuqive kryesore bërthamore, gjatë samitit të zhvilluar javën e kaluar në Kinë.
Ai shpjegoi se diskutimet kishin në fokus shmangien e një incidenti bërthamor dhe se, në atë kontekst diplomatik, përdorimi i këtij termi ishte i kuptueshëm.
Trump e kishte mbrojtur të enjten përshkrimin e Putinit si mik, duke argumentuar se është më mirë të kesh miq sesa armiq mes vendeve që zotërojnë arsenale të mëdha bërthamore.
“Është mirë të kesh njerëz që kanë 4 mijë armë bërthamore si miq, në vend që t’i kesh armiq”, kishte deklaruar presidenti amerikan.
Por, kur u pyet sërish të premten nëse Putin është mik i Shteteve të Bashkuara në tërësi, Trump nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, duke thënë se nuk mund të fliste në emër të Amerikës.
Komentet e Clayton vijnë në një kohë kur Rusia vijon pushtimin e Ukrainës, të nisur në shkurt të vitit 2022, dhe kontrollon rreth një të pestën e territorit të saj. Presidenti rus nuk ka dhënë shenja se do të tërhiqet nga kërkesa që Ukraina të dorëzojë të gjithë rajonin lindor të Donbasit si kusht për një marrëveshje paqeje.
Deklaratat e Trump për Putinin kanë shkaktuar reagime edhe te aleatët evropianë të Ukrainës. Kryeministri polak Donald Tusk e kundërshtoi hapur këtë cilësim.
“Zoti Putin nuk është miku ynë dhe nuk do të jetë kurrë”, deklaroi Tusk.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i pyetur të enjten për fjalët e Trump, ngriti supet dhe u largua pa dhënë një përgjigje.

