Alarm për ndotjen me plumb/ Ushtria amerikane planifikon të shpërthejë 5 tonë material eksploziv në Iowa, gjykata bllokon përkohësisht operacionin

22/11/2026 19:30

Një operacion i ushtrisë amerikane për shpërthimin e kontrolluar të rreth 5 tonëve material eksploziv në shtetin e Iowa-s është kthyer në një çështje të fortë përplasjeje mes autoriteteve, banorëve dhe organizatave mjedisore.

Në qendër të debatit është asgjësimi i 68 fuçive me azid plumbi (Lead Azide), një përbërje kimike që përdoret në municione për të shkaktuar shpërthimin e tyre. Materiali ndodhet në impiantin e municioneve të ushtrisë amerikane në Middletown dhe, sipas autoriteteve ushtarake, është degraduar deri në atë pikë sa konsiderohet jashtëzakonisht i paqëndrueshëm dhe i rrezikshëm për t’u transportuar.

Shqetësimi kryesor i banorëve lidhet me pasojat mjedisore të shpërthimit. Organizatat mjedisore paralajmërojnë se operacioni mund të çlirojë grimca plumbi në atmosferë, të cilat mund të përhapen në një distancë deri në 100 milje, ose rreth 160 kilometra. Pluhuri toksik mund të prekë tokën, sipërfaqet e banesave, zonat bujqësore dhe burimet e ujit.

Ekspozimi ndaj plumbit përbën rrezik serioz për shëndetin, veçanërisht për fëmijët dhe gratë shtatzëna, pasi mund të dëmtojë sistemin nervor dhe trurin.

Plani fillestar parashikonte kryerjen e shpërthimit të premten, më 20 nëntor, por pas kundërshtimeve të banorëve dhe zyrtarëve lokalë, operacioni u shty për të hënën. Organizatat mjedisore, mes tyre Iowa Environmental Council dhe Sierra Club, iu drejtuan gjykatës për të ndaluar ndërhyrjen, duke argumentuar se autoritetet nuk kishin shqyrtuar mjaftueshëm alternativat më të sigurta dhe pasojat e mundshme për mjedisin.

Gjykata federale e apelit për qarkun e tetë vendosi më pas të pezullojë përkohësisht lejen mjedisore që autorizonte operacionin. Megjithatë, në një zhvillim të ri të raportuar më 22 nëntor, Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi gjykatën se ushtria synon të kryejë shpërthimin deri më 24 nëntor, duke u mbështetur në kompetencat emergjente për asgjësimin e materialeve ushtarake të rrezikshme.

Administrata argumenton se ulja e mëtejshme e temperaturave mund ta bëjë materialin edhe më të paqëndrueshëm, duke rritur rrezikun e një shpërthimi aksidental.

Guvernatorja e Iowa-s, Kim Reynolds, aktivizoi qendrën shtetërore të operacioneve emergjente në pritje të zhvillimeve. Edhe autoritetet në shtetin fqinj të Illinois kanë shprehur shqetësimin se pluhuri me përmbajtje plumbi mund të kalojë kufirin shtetëror.

Ndërkohë, ushtria u ka kërkuar banorëve të zonave potencialisht të prekura të shmangin qëndrimin jashtë, të mbajnë dyert dhe dritaret të mbyllura dhe të kufizojnë hyrjen e ajrit të jashtëm në banesa. Fermerëve u është rekomanduar gjithashtu të zhvendosin bagëtitë, ushqimin e tyre dhe pajisjet bujqësore nga zonat e rrezikuara.

Për momentin, përplasja mes autoriteteve federale dhe organizatave mjedisore mbetet e hapur. Çështja kryesore është nëse ushtria do të arrijë ta realizojë operacionin brenda afatit të shpallur, pavarësisht kundërshtimeve dhe procedurave gjyqësore.

 

Top Channel