E diel, 22 Nëntor 2026 Lajme Ora 19:00 dhe Moti deri në 19:40 Në vijim ora 19:40: E-Zone Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 10 minuta më parë
Sport

VIDEO/ Gol përrallor nga Kevin Dodaj, çmend stadiumin

Futbollisti shqiptar Kevin Dodaj ka qenë protagonist i një fitoreje dramatike të Lechia Gdanskut, duke realizuar një gol spektakolar në minutat shtesë të ndeshjes ndaj Odrës së Opoles.

Skuadra polake triumfoi me rezultatin 2-1 në shtëpi, në një përballje të vlefshme për javën e 15-të të kampionatit, ndërsa goli i sulmuesit shqiptar vulosi tri pikët për vendasit.

Dodaj u shndërrua në heroin e takimit në minutën e 90+1, kur pas një goditjeje këndi të Lechias, topi u largua nga mbrojtja kundërshtare dhe përfundoi në këmbët e 20-vjeçarit. Pa u menduar gjatë, futbollisti kuqezi lëshoi një goditje të fuqishme fluturimthi nga rreth 25 metra, duke e dërguar topin në rrjetë dhe duke ngritur në këmbë tifozët në stadium.

Një realizim i jashtëzakonshëm, që i dha fund një sfide të luftuar dhe i siguroi Lechia Gdanskut një fitore të rëndësishme në garën për ngjitjen në elitën e futbollit polak.

Skuadra vendase e nisi ndeshjen në disavantazh, pasi Odra kaloi në epërsi që në minutën e dytë me anë të Nemanja Miluskovicit. Lechia reagoi në fundin e pjesës së parë, kur Vladislav Błanuta barazoi shifrat, ndërsa në minutat shtesë Dodaj realizoi golin vendimtar.

Ky ishte goli i pestë i Kevin Dodajt në kampionat këtë sezon, ndërsa Lechia regjistroi fitoren e gjashtë radhazi në shtëpi dhe vijon të qëndrojë në zonën e sipërme të tabelës.

Futbollisti shqiptar, i cili është pjesë e Lechia Gdanskut në formë huazimi nga CSKA Sofia, po konfirmohet si një nga lojtarët e rëndësishëm të skuadrës polake.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.