Manastir, Gashi: Siç u bashkuan rilindësit për alfabetin, edhe politika të unifikohet në momentet kritike për të ardhmen e kombit
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në aktivitetin për shënimin e Ditës së Alfabetit Shqip, në Shtëpinë-Muze në Manastir, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, përcolli një mesazh të qartë për bashkimin e shqiptarëve, duke marrë si shembull rilindësit që 118 vite më parë u bashkuan në Manastir për unifikimin e alfabetit.
Gashi theksoi se 22 Nëntori është një nga datat më të rëndësishme në historinë e identitetit kombëtar shqiptar, ndërsa nënvizoi se bashkimi i rilindësve për një gjuhë dhe alfabet të përbashkët duhet të shërbejë si shembull edhe për politikën shqiptare të ditëve të sotme.
Ai theksoi se pikërisht ky është mesazhi që duhet të përcillet edhe në politikën aktuale, të lihen mënjanë dallimet dhe të gjenden pikat e përbashkëta, veçanërisht në momentet më kritike.
“Janë disa momente dhe data në historinë e ndërtimit të kombit tonë, dhe 22 Nëntori është një nga thesaret më të mëdha të përvijimit të identitetit të kombit tonë. 100 vite më pas, jemi këtu ku jemi: një komb që e ka identitetin e vet, duke pasur gjuhën shqipe si pjesë të identitetit të tij.
Falënderoj shtetin shqiptar dhe të gjithë ata që e bënë këtë shtëpi ashtu siç është sot. Ky kujdes duhet të jetë për kujtesën tonë kolektive dhe për të ardhmen drejt së cilës duhet të shkojmë.
Ajo që bënë rilindësit tanë 118 vite më parë, duke ardhur këtu nga vise të ndryshme, ishte se gjetën gjuhën e përbashkët për të unifikuar alfabetin dhe për t’i dhënë kuptim kombit tonë. Ky është mesazhi më i madh për ne në politikën aktuale: në momentet më kritike duhet të gjejmë pikat e përbashkëta, duhet të unifikojmë qëndrimet tona për të pasur në mendje të ardhmen e kombit. Ta gëzojmë Ditën e Alfabetit!”, tha Gashi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



