Deputeti socialist, Erion Braçe ka dalë kundër vendimit për shkarkimin e Zhaneta Beqirit nga drejtimi i Shërbimit Publik të Çerdheve dhe Kopshteve në Bashkinë e Tiranës, duke i kërkuar publikisht kryebashkiakut Erion Veliaj që ta rishikojë atë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, deputeti socialist ka vlerësuar punën 13-vjeçare të Beqirit dhe kontributin e saj në zhvillimin e shërbimit publik për fëmijët në kryeqytet.
Braçe thekson se gjatë kohës që ka qenë në kontakt me punën e saj, e ka parë drejtoreshën të angazhuar drejtpërdrejt në çerdhe dhe kopshte, duke ndjekur nga afër kushtet, higjienën dhe kujdesin ndaj fëmijëve. Sipas tij, shërbimi publik i çerdheve dhe kopshteve është kthyer në një model suksesi, duke konkurruar edhe sektorin privat.
Për këtë arsye, ai e konsideron largimin e Beqirit një vendim të gabuar, që mund të dëmtojë një strukturë ku prindërit kanë krijuar besim ndër vite. Deputeti thotë se ka marrë edhe reagime nga qytetarë dhe prindër, të cilët kanë shprehur pakënaqësi për shkarkimin, duke e cilësuar atë si një goditje për shërbimin dhe fëmijët. Në përfundim, Braçe i ka bërë thirrje Veliajt dhe drejtuesve të tjerë të Bashkisë së Tiranës që të tërheqin vendimin.
Erion Braçe: Erion, këtë herë e ke gabim! Zhaneta Beqiri është gruaja në krye të shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Tiranës. Një shërbim që e them me plot gojën, është i vetmi brand publik në këtë qytet; ia ka dalë të konkurrojë e të mundë shërbimin privat në këtë lemë. Besoj shumë se Bashkia e Tiranës e ka krenari këtë brand publik.
Zhaneta Beqirin unë e njoh në punë, vetëm aty; nuk kam pasur njohje personale me të këto 13 vitet e fundit, kur ajo ka drejtuar këtë shërbim. E njoha këto 20 muaj që punoj në Tiranë; e kam gjetur në çerdhe e kopshte, jo në zyrë. E kam parë krejt rastësisht në Irfan Tomini, Vasil Shanto, zonën e Shushicës, Ish-Bllok, 1 maji – aty me fëmijët, duke i mbajtur në krahë e duke luajtur me ta, me edukatoret, me guzhinieret, me prindërit.
Nuk e kam gjetur në orën 11, 12, 13 etj., por që në 8, 8.05, 8.10, 8.15 të mëngjesit, në punën e saj, pa e ditur aspak për praninë time aty. Dhe unë, i habitur prej përkushtimit të saj, prej kujdesit për higjienën e deri te niveli i muzikës në ambientet e fëmijëve. Nëse sot çerdhet e kopshtet private mbyllen njëri pas tjetrit dhe janë tkurrur shumë, është pikërisht ky brand publik arsyeja; infrastruktura dhe, mbi të gjitha, kujdesi maksimal i çdo punonjësi publik në këtë shërbim: vajzave e grave edukatore, mësueseve ndihmëse, guzhiniereve, sanitareve, psikologeve dhe kësaj gruaje, njesh me to e në krye të tyre.
Sot në mëngjes, një grua, nënë, më shkroi se Zhaneta Beqiri ishte pushuar nga puna dhe më bëri me dije se ky është një gabim e dëm i madh që po i bëhet këtij shërbimi, mbi të gjitha fëmijëve. Kuptova përmasën e dëmit kur kontrollova mesazhet e shumta në telefon e në rrjetet sociale. Prindërit i kanë besuar fëmijët këtij shërbimi dhe njerëzve që e ndërtuan dhe e kthyen në brand publik – nuk mund të luhet me ta! Ndaj do t’i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye, është i padrejtë! Nuk dua t’u besoj dhe as i marr në konsideratë ato që po dëgjoj; mua më vlen puna dhe shërbimi ndaj njerëzve në këtë qytet. Punën e kam parë me sytë e mi dhe vlerësimin për të e kam marrë nga mijëra sy të tjerë, fëmijësh e prindërish të lumtur!
