Në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kryeministri Edi Rama zhvilloi një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me homologun e tij, Hristijan Mickoski, dhe përfaqësues të faktorit politik shqiptar në vendin fqinj. Ndalesa e parë ishte në Qafë Thanë, ku dy kryeministrat dhanë lajmin për vendosjen e një kontrolli të përbashkët kufitar, duke bashkuar procedurat në një pikë të vetme për të dyja vendet. Megjithatë, në konferencën e përbashkët për shtyp, vëmendjen e gazetarëve nuk e tërhoqi vetëm marrëveshja për lehtësimin e kalimit kufitar. Në qendër të interesit ishte edhe marrëdhënia personale mes dy kryeministrave, të cilët e cilësuan njëri-tjetrin miq.