Pas gjashtë fitoresh radhazi, skuadra e Vllaznisë pësoi humbjen e parë në Superligë. Shkodranët u mundën 102-81 nga Skënderbeu, në takimin e javës së 7-të të Kampionatit Kombëtarm, luajtur në Pogradec.
Fitore të thellë korri Besëlidhja kampione, që në Elbasan fitoi 147-59 ndaj skuadrës vendase. Ndeshje në sens unik, ku për lezhjanët 8 lojtarë realizuan mbi 10 pikë (Knott me 24 pikë shënuesi më i mirë).
Tirana fitoi 83-79 ndaj Partizanit në derbin kryeqytetas, një fitore me përmbysje e skuadrës bardheblu. “Të kuqtë” udhëhiqnin 43-34 pas pjesës së parë, por në të dytën erdhi përmbysja e Tiranës, që arriti të korrë një fitore të madhe.
Fitore të rëndësishme korri skuadra e Kamza Basket, që mundi 98-94 Teutën, duke u ngjitur në vendin e dytë, me pikë të barabarta me durrsakët. Ndeshje e hapur deri në fund, ku për kamzalinjtë u dallua Mohammed me 28 pikë.
Superliga-Meshkuj, java e 7-të
Elbasani – Besëlidhja, 59-147
Pogradeci – Apolonia, 71-118
Skënderbeu – Vllaznia, 102-81
Partizani – Tirana, 79-83
Kamza Basket – Teuta, 98-94
Flamurtari(pushim)
Renditja: Vllaznia 13 pikë, Teuta 10 pikë, Kamza Basket 10 pikë, Tirana 10 pikë, Skënderbeu 10 pikë, Besëlidhja 9 pikë, Apolonia 9 pikë, Partizani 8 pikë, Pogradeci 7 pikë, Elbasani 7 pikë, Flamurtari 7 pikë.







