Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zgjedhur një mënyrë të veçantë për të shënuar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, më 22 nëntor.

Ai ka përdorur inteligjencën artificiale për ta vendosur veten në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908, mes figurave që kontribuuan në njësimin e alfabetit shqip.


Fotografinë e përpunuar, Rama e ka publikuar në rrjetet sociale, duke e shoqëruar me mbishkrimin: “Në shtëpinë e Kongresit të Manastirit”.

Në imazh, kryeministri shqiptar shfaqet në këmbë, në qendër të rreshtit të pasmë, i veshur me kostum të zi dhe kravatë të kuqe. Ai është vendosur mes personaliteteve historike, ndërsa fotografia paraqet në ngjyra anëtarët e Komisionit të Alfabetit, të ulur rreth një tryeze, me shkronjat e gjuhës shqipe të vendosura në sfond.

Përmes këtij imazhi të krijuar me inteligjencë artificiale, Rama është përfshirë simbolikisht në një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, e cila shënoi një moment vendimtar për njësimin e shkrimit të gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit nisi punimet më 14 nëntor 1908, në ambientet e klubit “Bashkimi” në Manastir, dhe zgjati nëntë ditë. Në të morën pjesë 32 delegatë me të drejtë vote, që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri shqiptare. Punimet u drejtuan nga Mithat Frashëri, ndërsa nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi.

Më 16 nëntor u formua Komisioni i Alfabetit, me 11 anëtarë, nën drejtimin e Atë Gjergj Fishtës. Në përbërje të tij ishin edhe personalitete të njohura të Rilindjes Kombëtare, si Luigj Gurakuqi, Sotir Peci, Dom Ndre Mjeda dhe Mithat Frashëri.

Pikërisht anëtarët e këtij komisioni janë ata që shfaqen në fotografinë historike të ripërpunuar nga Rama, i cili përmes inteligjencës artificiale ka shtuar edhe veten në mesin e tyre.

Më 20 nëntor, komisioni paraqiti vendimin për alfabetin e gjuhës shqipe, i cili u miratua nga delegatët. Kongresi i përfundoi punimet më 22 nëntor 1908, datë që sot shënohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.