Kryeministri Edi Rama ka uruar Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe përmes një postimi të pazakontë në rrjetet sociale, ku ka përdorur inteligjencën artificiale për ta vendosur veten në fotografinë historike të Kongresit të Manastirit të vitit 1908.
Në imazhin e modifikuar me teknologjinë AI, kreu i qeverisë shfaqet mes personaliteteve të shquara të Rilindjes Kombëtare, të cilët morën pjesë në një prej ngjarjeve më të rëndësishme për historinë e gjuhës dhe identitetit shqiptar.
Fotografinë, Rama e ka shoqëruar me mbishkrimin e shkurtër: “Në shtëpinë e Kongresit të Manastirit”.
Përmes këtij postimi, kryeministri ka zgjedhur të ndërthurë një moment historik me teknologjinë moderne, në kuadër të përkujtimit të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit.
Kongresi i Manastirit u zhvillua nga 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, duke mbledhur përfaqësues nga treva të ndryshme shqiptare me synimin për të unifikuar alfabetin e gjuhës shqipe.
Gjatë punimeve të kongresit, një komision i përbërë nga 11 anëtarë, nën drejtimin e At Gjergj Fishtës, shqyrtoi çështjen e alfabetit, duke hedhur bazat e standardizimit të sistemit të shkrimit që përdoret sot.
Vendimet e marra në Manastir shënuan një kthesë historike për arsimin, kulturën dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, duke kontribuar në forcimin e identitetit kombëtar.
Sot, 118 vite pas përfundimit të këtij kongresi, 22 Nëntori përkujtohet si Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një datë që simbolizon përpjekjet e shqiptarëve për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës së tyre.
