Regjisori i njohur amerikan Quentin Tarantino dhe bashkëshortja e tij, Daniella Pick, janë bërë prindër për herë të tretë. Çifti ka mirëpritur në jetë një djalë, duke zgjeruar kështu familjen e tyre.
Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i regjisorit për revistën People, i cili bëri të ditur se Tarantino dhe bashkëshortja e tij janë jashtëzakonisht të lumtur për ardhjen në jetë të fëmijës.
Tarantino, 63 vjeç, dhe Daniella Pick, 43 vjeçe, kanë edhe dy fëmijë të tjerë, djalin Leo, gjashtë vjeç, dhe vajzën Adriana, katër vjeçe.
Historia e çiftit nisi në vitin 2009, kur u njohën në Izrael, gjatë promovimit të një prej projekteve filmike të regjisorit. Pas një periudhe lidhjeje dhe një ndarjeje, ata u ribashkuan rreth vitit 2016. Një vit më vonë u fejuan, ndërsa në nëntor të vitit 2018 kurorëzuan martesën në një ceremoni private në Los Angeles.
Quentin Tarantino është një nga emrat më të njohur të kinematografisë botërore. Në karrierën e tij ka realizuar filma që kanë fituar vëmendje ndërkombëtare, mes tyre “Pulp Fiction”, “Kill Bill”, “Inglourious Basterds”, “Django Unchained” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”.

