Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka refuzuar të paraqitet në Spitalin Memorial të Fierit për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale në këmbë, të planifikuar për ditën e nesërme. Pas këtij vendimi, drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, e akuzoi se po përdor çështjen e operacionit për të krijuar “zhurmë” dhe për të ngritur pretendimin se nuk po trajtohet siç duhet nga institucionet shtetërore.
Veliaj ka reaguar duke deklaruar se nuk mund t’ia besojë jetën kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon se e ka transferuar në mënyrë të padrejtë në burgun e Fierit. Ai thekson se nuk refuzon trajtimin mjekësor, por kundërshton kryerjen e operacionit në një spital të përcaktuar, sipas tij, nga kryeministri.
“E kuptoj që makineria e PR-it të Kryeministrit është sulur edhe ndaj këmbës sime, me sa duket se u kanë mbaruar punët e vendit për të publikuar.
Por e vërteta është se as e kam kërkuar dhe sigurisht e kam refuzuar operimin në një spital të imponuar nga ai që më internoi në Fier, Kryeministri i vendit. Pas asaj që e konsideroj internim politik, si mund t’i besoj të njëjtit person edhe për një operacion nën narkozë, ku në lojë është vetë jeta ime?
Që të premten në mëngjes i jam drejtuar GJKKO-së për të garantuar vlerësimin nga mjeku i zgjedhur prej meje dhe operimin në spitalin që zgjedh familja ime.
Nuk po refuzoj trajtimin apo operimin e mundshëm, të cilin e kam kërkuar prej muajsh. Po refuzoj që ai që më internoi të vendosë edhe mbi jetën time”, ka deklaruar Veliaj nga paraburgimi i Fierit.
Ndërkohë, drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, ka deklaruar se Veliaj kishte kërkuar vazhdimisht ndërhyrjen kirurgjikale, duke pretenduar se gjendja e tij shëndetësore po rëndohej, por në momentin kur ishte planifikuar operacioni kishte refuzuar të paraqitej në Spitalin Memorial.
“Atëherë, pas kërkimit me ngulm të ndërhyrjes sipas avokatit dhe vetë shtetasit Erion Veliaj, duke u shprehur se po i rëndohej situata shëndetësore, sot, në mënyrë të befasishme dhe plotësisht të qetë, vetë shtetasi Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet pranë Spitalit Memorial Fier për të bërë të mundur ndërhyrjen, duke nënkuptuar se nuk paska qenë problem ndërhyrja, por zhurma dhe alibia për të ngritur pretendimin sikur nuk po trajtohet siç duhet nga instancat shtetërore. Pra, sot, pas një lumi kërkesash nga ana e Erion Veliajt se pse nuk po lejohej të kryhej ndërhyrja, po vetë ai refuzon ta kryejë ndërhyrjen, me motivacionin se nuk është gati”, thuhet në njoftimin e Qalliut.
Më herët, Veliaj kishte deklaruar se i ishte drejtuar GJKKO-së për të vendosur lidhur me ndërhyrjen kirurgjikale dhe kishte kërkuar që të vlerësohej nga një mjek i zgjedhur prej tij, ndërsa operacioni të kryhej në një spital të përzgjedhur nga familja. Ai ndodhet në paraburgimin e Fierit që prej transferimit nga Durrësi dhe po gjykohet në GJKKO, ku përballet me 13 akuza penale.a.b



