Portet dhe kompanitë kryesore të transportit detar në SHBA po përballen me një valë në rritje të përpjekjeve për sulme kibernetike, duke ngritur shqetësime për ndërprerje të mundshme në rrugët tregtare globale dhe furnizimet me energji, raportoi të dielën Financial Times.
Porti i Corpus Christi në Teksas, porta më e madhe amerikane për eksportet e naftës bruto, përpunon rreth 2.3 milionë fuçi në ditë dhe po përjeton qindra apo edhe mijëra përpjekje për sulme kibernetike çdo ditë, sipas raportit.
Drejtori Ekzekutiv i Portit, Kent Britton, tha se hakerat po hetonin rrjetet kompjuterike për dobësi dhe po imitonin drejtuesit e lartë në mesazhe mashtruese, që synonin të fitonin akses të paautorizuar.
Sulmet variojnë nga përpjekjet automatike për të hamendësuar fjalëkalimet, deri te përpjekjet më të sofistikuara për të vjedhur ose shkatërruar të dhëna.
Porti i Los Anxhelosit raportoi bllokimin e 120 milionë sulmeve kibernetike në tentativë në gusht, pothuajse dyfishi i mesatares së tij mujore në vitin 2023, ndërsa Roja Bregdetare e SHBA-së regjistroi një rritje prej 17% të incidenteve kibernetike detare vitin e kaluar.
Në gusht, Roja Bregdetare dhe FBI-ja hetuan ndërhyrje të dyshuara kibernetike që përfshinin dy anije cisternë me destinacion SHBA-në, që transportonin naftë bruto dhe gaz të lëngshëm nafte nga Mesdheu në Galveston të Teksasit.
Rrjetet e anijeve thuhet se u kompromentuan pranë Ngushticës së Gjibraltarit, duke nxitur inspektime sigurie më 21 dhe 24 gusht. Autoritetet nuk i kanë identifikuar publikisht përgjegjësit.
Raporti nxori në pah gjithashtu një sulm kibernetik të gushtit në Portet e Karolinës së Veriut, që vonoi përkohësisht operacionet e portave dhe detyroi stafin të kalonte në përpunimin manual të ngarkesave.
Gjigandi i transportit detar Maersk zbuloi gjithashtu një shkelje të të dhënave këtë muaj, megjithëse tha se operacionet nuk u prekën dhe incidenti nuk përfshinte ransomware.
© SYRI.net