Dukej se aventura e tij ishte mbyllur pas problemit muskular që pati kundër Medvedev, por në fakt Carlos Alcaraz triumfoi në turneun e ATP Finals që u zhvilluan në Torino.

Tenisti spanjoll, që një ditë më parë hasi në vështirësi në sfidën me Ben Shelton për shkak të shërbimeve të këtij të fundit mposhti në finalen e këtij turneu të rëndësishëm numrin 1 të botës Alexander Zverev me rezultatin 2-0 me sete 6-2; 7-6 pas 2 orësh e 1 minutë lojë. Për Alcaraz kjo është hera e parë që fiton këtë turne

Për më tepër, tenisti nga Murcia arriti aty ku nuk ia doli edhe Rafael Nadal duke e kthyer trofeun e ATP Finals në Spanjë, 28 vjet pas triumfit të Alex Corretjas. Në setin e parë, u pa një Zverev që ishte larg versionit të tij më të mirë, me gjermanin që gaboi shumë me Alcaraz që përfitoi me spanjollin që fitoi edhe betejat psikologjike në game e 1 dhe të 4 për të dominuar këtë fraksion duke fituar 3 game me shërbimet e kundërshtarit për ta fituar atë 6-2.

Tenisti spanjoll u duk se kishte gjithçka nën kontroll edhe në fillimin e setit të dytë kur u shkëput në 3-1. Por Zverev diti të reagojë dhe në një moment të ndeshjes arriti të marrë kryesimin në 5-4 me Alcaraz që u kundërpërgjigj dhe seti shkoi në tiebreak. Këtu ndodhi gjithçka me të dy tenistët që nuk kishin ndërmend të lëshonin pe, por në fund Alcaraz arriti të fitojë tie breakun 9-7 dhe krejt setin 7-6 për të mbyllur këtë finale 2-0.

Një triumf i jashtëzakonshëm ky për Carlos Alcaraz që rrezikoi tërheqjen nga turneu për shkak të një problemi muskular që pati në ndeshjen kundër Medvedev duke luajtur i dëmtuar kundër Cobollit dhe duke vuajtur ndaj Shelton në gjysmëfinale.

Top Channel