U nda nga jeta në moshën 89-vjeçare, kush ishte Paolo Bulgari, trashëgimtari që e ktheu biznesin familjar në një perandori luksi Kulturologu dhe kantautori Esat Ruka ishte i ftuar në programin “Diell”, në Top Channel, në rubrikën “Galeri”, ku ndau me publikun kujtime nga fëmijëria në Mat, trashëgiminë muzikore të familjes, figurën e babait rapsod dhe rrugëtimin e tij artistik, që nisi që në moshë shumë të vogël.
I lindur në fshatin Rremull të Matit, Ruka tregoi se dashuria për muzikën ishte pjesë e jetës familjare. Babai i tij ishte një rapsod i njohur në zonë, me një zë të veçantë, ndërsa nëna kishte gjithashtu një zë brilant. Këta dy prindër, siç rrëfeu ai, ndikuan drejtpërdrejt në formimin e tij muzikor.
“Babai im shquhej për një zë shumë të veçantë, i cili mbahet mend edhe sot për mënyrën e bukur se si këndonte. Për fat të mirë, ai ishte edhe një djalë shumë simpatik për kohën. Personi që shihni në fotografi është babai im, Ruka, një portret i njohur edhe në aspektin artistik të asaj kohe. Ai ishte rapsod, i njohur ndryshe si ‘krushku i këngës’. Në atë kohë, nuk merrej nuse pa një krushk që dinte të këndonte. Ai këndonte këngë dasmash, si në mënyrë akapela, ashtu edhe i shoqëruar me çifteli, në mjediset ku organizoheshin dasmat”, tregoi Ruka.
Gjatë intervistës, ai solli edhe një moment të veçantë emocional, duke kënduar një këngë akapela të të atit, duke rikthyer kështu në studio një pjesë të trashëgimisë muzikore familjare.
Një pjesë e rëndësishme e rrëfimit iu kushtua edhe nënës së tij, të cilën Esat Ruka e kujton si një grua me zë të jashtëzakonshëm. Ai tregoi se kontakti i parë me radion dhe dëgjimi i zërave të këngëtarëve i zgjuan edhe më shumë dëshirën për të dëgjuar këngë në familje.
“Për herë të parë, radion e dëgjova në vitet 1960-1961. Zëri i Luçie Milotit më kujtonte zërin e nënës sime. Kur shkoja në shtëpi, i kërkoja nënës të më këndonte këngë dasmash, aq sa dinte. Edhe kur rrinim nën hijen e manit dhe ajo më përkëdhelte kokën, më këndonte këngë. Por, sapo kalonin burra pranë nesh, e ndërpriste këngën, sepse në atë kohë gratë nuk duhej të këndonin në prani të burrave. Edhe nëna ime kishte një zë brilant”, kujtoi ai.
Këto momente, të cilat sot i ruan si kujtime të çmuara, tregojnë edhe mënyrën se si muzika përcillej brez pas brezi në familjet matjane, jo vetëm përmes instrumenteve, por edhe përmes këngëve të kënduara në jetën e përditshme.
Fëmijëria në fshat ishte një tjetër temë ku Ruka u ndal gjatë.
“Jeta në fshat ka qenë shumë e bukur. Na duhej t’i ndërtonim vetë gjërat, për të shijuar edhe çapkënllëqet e moshës, ndërkohë që duhej t’u përgjigjeshim kërkesave të prindërve për t’u kujdesur për bagëtitë. Mezi prisja t’i mbyllja punët me to dhe të merrja çiftelinë në dorë. I rashë çiftelisë që në moshën pesëvjeçare”, rrëfeu kulturologu.
Rrugëtimi i tij artistik do të merrte një drejtim edhe më të qartë gjatë viteve kur punonte si mësues në Shkopet. Aty nisi të ndërtonte strukturat e para muzikore dhe të angazhohej në jetën artistike të zonës.
“Në Shkopet kam punuar si mësues. Aty bëra për herë të parë një ansambël dhe u bëra pjesë e ansamblit të rrethit. M’u deshën dy-tre vjet për të krijuar besimin se isha një djalë i mirë dhe se puna ime do të ecte përpara. Në atë periudhë fillova të krijoja gjithnjë e më shumë. Formova një orkestër popullore me çifteli dhe të gjitha instrumentet karakteristike të zonës”, tregoi ai.
Më vonë, Esat Ruka nisi të shkëputej gradualisht nga interpretimi vetëm me instrument dhe të provonte veten si këngëtar solist. Në këtë rrugëtim arriti të merrte edhe disa çmime të para, duke konsoliduar profilin e tij artistik.
Në rubrikën “Galeri”, fotografitë shërbyen edhe si një udhëtim në historinë personale të artistit. Një prej tyre, që e veçoi gjatë bisedës, ishte fotografia e ditës së martesës, për të cilën ai tha se mbart një kujtim të veçantë.
“Kjo fotografi, besoj, rrezaton diell. Është shkrepur ditën e martesës sonë. Në fshat nuk arrita të bëja fotografi, sepse terreni ishte i kufizuar. Kur mbërritëm në fshat, i gjithë fshati kishte dalë për të parë dhëndrin dhe nusen. Ne shkuam atje në këmbë, të veshur me çizme”, tregoi Ruka.
Ai foli me vlerësim edhe për bashkëshorten e tij, e cila punonte në spitalin e Burrelit dhe, sipas tij, shquhej për përkushtimin e veçantë ndaj fëmijëve.
Një prej shprehjeve të tij më domethënëse për krahinën që e ka formuar artistikisht dhe shpirtërisht mbetet “Mati ka më shumë shpirt sesa zëdhënie të shpirtit.”
Top Channel