Tragjedi në Itali, humb jetën e reja shqiptare

Një 31-vjeçare me origjinë shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik në veri të Italisë, ndërsa tre fëmijë që ndodheshin në të njëjtën makinë kanë mbetur të plagosur.
Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, banore e zonës së Prata di Pordenone, e cila u nda nga jeta pas pasojave të përplasjes së ndodhur mëngjesin e kësaj të diele, raporton media italiane.
Aksidenti u regjistrua rreth orës 11:00 në zonën e Prata di Pordenone, ndërsa e reja po shoqëronte fëmijët drejt Villanova-s për të marrë pjesë në festën e dhjetëvjetorit të ditëlindjes së nipit të saj.
Sipas rindërtimit paraprak të karabinierëve, automjeti tip Ford Fiesta humbi kontrollin në një kthesë për shkak të rrugës së rrëshqitshme nga reshjet e shiut, doli nga karrexhata dhe u përplas me një shtyllë betoni e cila u shemb e depërtoi në pjesën e përparme të mjetit, duke bërë që makina të përfundonte e përmbysur mbi strukturën e betonit për shkak të forcës së madhe të goditjes.

Emanuela Shahini mbeti e bllokuar mes mbetjeve të automjetit të shkatërruar dhe u desh ndërhyrja e zjarrfikësve për t’u nxjerrë.
Pas ndihmës së parë të ofruar në vendngjarje ajo u dërgua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone, ku ndërroi jetë pak pas mbërritjes, rreth orës 12:30.
Në makinë udhëtonin edhe tre të mitur, djali gjashtëvjeçar i tridhjetë e njëvjeçares, vajza e saj katërvjeçare dhe një shoqe e tyre dhjetëvjeçare, të cilët sipas raportimeve arritën të dilnin vetë nga automjeti pas përplasjes.
Vajza katërvjeçare u transportua me helikopter drejt spitalit të Udines, ndërsa dy fëmijët e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones për kontrolle dhe trajtim mjekësor për dëmtime e mavijosje në trup, teksa gjendja e tyre vijon të ndiqet nga mjekët.
Në vendngjarje shkuan ambulanca, helikopteri mjekësor, zjarrfikësit dhe karabinierët e kompanisë Sacile, të cilët po hetojnë dinamikën e plotë të ngjarjes dhe po verifikojnë përdorimin e rripave të sigurimit.
Kryetarja e bashkisë së Prata di Pordenone, Katia Cescon, shprehu ngushëllimet e saj duke deklaruar se në emër të saj dhe të gjithë administratës bashkiake shprehte ngushëllimet më të thella familjes së Emanuelës për këtë tragjedi të madhe, teksa një nënë e re u nda nga jeta shumë shpejt, duke shtuar një lutje të veçantë për vajzën e vogël që ishte në bord me të, e shtruar në spital, dhe një mendim plot dashuri e afërsi për të gjithë të dashurit e saj me të cilët ishin pranë në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme.

































