Një aksident tragjik ka ndodhur mëngjesin e kësaj të diele në Prata di Pordenone, në Itali, ku ka humbur jetën një 31-vjeçare me origjinë shqiptare, ndërsa tre të mitur kanë mbetur të plagosur. Viktima është identifikuar si Emanuela Shahini, e cila udhëtonte së bashku me dy fëmijët e saj, 15 dhe 11 vjeç, si dhe një shoqe të tyre.
Sipas mediave italiane, makina tip “Ford Fiesta” doli nga rruga në një kthesë dhe u përplas me një bllok betoni, përpara se të përmbysej. Familja ishte nisur drejt Villanovës, ku do të merrnin pjesë në një festë ditëlindjeje. Dyshohet se lagështira në asfalt, si pasojë e reshjeve të shiut, mund të ketë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit.
Më rëndë është vajza 15-vjeçare e viktimës, e cila u transportua me helikopter drejt spitalit të Udines. Dy të miturit e tjerë u dërguan në spitalin e Pordenones me lëndime të klasifikuara në kodin e verdhë. Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit dhe Karabinierët, ndërsa autoritetet italiane po vijojnë hetimet për të përcaktuar plotësisht shkaqet e aksidentit.
© SYRI.net