Shoqata Kulturore Shqiptare në Kroaci “Shkëndija”, e udhëhequr nga Gentiana Lleshdedaj, ka organizuar një sfilatë me veshje kombëtare nga të gjitha trevat shqiptare.

Ngjarja u mbajt në Hotel “Antunović” në Zagreb, ku u prezantuan veshje tradicionale që përfaqësojnë trashëgiminë kulturore të krahinave të ndryshme shqiptare, nga Malësia e Madhe dhe Ulqini deri në Çamëri, Kosovë, Medvegjë e Pollog, si dhe nga veriu në jug të Shqipërisë.


Ambasada e Kosovës në Kroaci, përmes një njoftimi, ka vlerësuar se secila veshje e prezantuar në këtë sfilatë bart historinë e një krahine, mjeshtërinë e grave që i kanë qëndisur dhe kujtesën e brezave që i kanë ruajtur ato.

Një ndër veshjet e prezantuara ishte edhe xhubleta e Malësisë së Madhe, për të cilën ambasada thekson se ka rrënjë rreth 4.000-vjeçare dhe është nën mbrojtjen e UNESCO-s si trashëgimi kulturore e njerëzimit.

Ambasada ka falënderuar Shoqatën “Shkëndija” dhe udhëheqësen e saj, Gentiana Lleshdedaj, për përkushtimin në ruajtjen dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e rinj.

Po ashtu, ka shprehur mirënjohje për të gjithë pjesëmarrësit që kontribuuan në organizimin e kësaj mbrëmjeje kushtuar kulturës dhe identitetit shqiptar.