Skandali i kopjimit në provime, dorëhiqet ministri i Arsimit në Korenë e Jugut
Ministri i Arsimit i Koresë së Jugut, Choi Kyo-jin, ka dhënë dorëheqjen pas skandalit të mashtrimit në provime, i cili shkaktoi reagime të shumta në vend.
Choi mori përgjegjësinë për kaosin e krijuar nga masat emergjente të ndërmarra në momentet e fundit për të parandaluar kopjimin përmes pajisjeve të inteligjencës artificiale gjatë provimit kombëtar të pranimit në universitete, të njohur si Suneung.
Skandali shpërtheu pasi një kandidat, i cili kishte arritur rezultatin më të lartë në provimin kombëtar të kontabilitetit tatimor, pranoi se kishte përdorur një mikrokamerë, telefon celular dhe inteligjencë artificiale për të kopjuar.
Pas këtij rasti, autoritetet ndërmorën masa të jashtëzakonshme sigurie për provimin Suneung, ku morën pjesë rreth 500 mijë studentë. Ministria e Arsimit bëri të ditur se 111 kandidatë u kapën me pajisje elektronike të paautorizuara.
Për herë të parë, Koreja e Jugut përdori sistemin kombëtar të alarmit për fatkeqësitë për të zbuluar mashtruesit. Gjatë provimit u dërguan tri alarme emergjente në të gjithë vendin, ndërsa kandidatëve iu kërkua të mbulonin edhe butonat e këmishave dhe xhaketave për të parandaluar përdorimin e kamerave të fshehta.
Duke njoftuar dorëheqjen, ministri Choi Kyo-jin deklaroi se nuk mund t’u shmangej kritikave për mungesën e përgatitjeve paraprake.
“Si ministër përgjegjës, besoj se nuk mund t’i shpëtoj kritikave që nuk u përgatitëm paraprakisht. Tani që provimi ka përfunduar, ndjej një ndjenjë të thellë përgjegjësie dhe po jap dorëheqjen time”, deklaroi ai.




