Një zyrtar i Kishës Ortodokse Ruse u ka bërë thirrje fansave të Grand Theft Auto VI të pendohen dhe të heqin dorë nga videoloja shumë e famshme, duke e cilësuar atë si një “të keqe” të padiskutueshme dhe duke i këshilluar lojtarët t’ia kushtojnë kohën aktiviteteve më të vlefshme.
Paralajmërimi erdhi menjëherë pas lançimit të GTA VI më 19 nëntor, duke i dhënë fund një pritjeje 13-vjeçare që nga versioni i mëparshëm. E zhvilluar nga Rockstar Games, loja e destinuar vetëm për të rritur rikthehet në Vice City, një version imagjinar i Majamit, ku protagonistët kriminalë Lucia Caminos dhe Jason Duval lëvizin në botën e krimit të shtetit imagjinar amerikan Leonida.
Hieromonku Makary (Mark Simonovich Markish), i cili drejton departamentin për marrëdhëniet me shoqërinë dhe median në dioqezën Ivanovo-Voznesensk, i tha radios Govorit Moskva të premten se këto lojëra shkaktojnë “një sasi të madhe marrëzish, mëkatesh dhe dëmesh” për lojtarët dhe njerëzit përreth tyre.
“Kisha Ortodokse u bën thirrje atyre të pendohen”, tha ai, duke i nxitur njerëzit “ta braktisin këtë marrëzi” dhe t’u drejtohen “gjërave reale, të rëndësishme dhe kuptimplota”.
“Pavarësisht nëse dikush bëhet president i Akademisë së Shkencave apo një nënë që rrit dy fëmijë, parimi mbetet i njëjtë – largohu nga e keqja dhe bëj të mirën. Këto lojëra janë pa asnjë dyshim të këqija.”
GTA VI është kthyer në një lloj feste laike për lojtarët në mbarë botën. Rockstar raportoi se ishin shitur një rekord prej 32,5 milionë kopjesh përpara lançimit dhe vlerësoi se të ardhurat globale vetëm në ditën e parë arritën në 3,79 miliardë dollarë – gati pesë herë më shumë se të ardhurat e ditës së parë të lançimit të GTA V në vitin 2013. Entuziazmi ka mbërritur edhe në vendet e punës, ku fansat po planifikojnë pushimet, po kërkojnë ditë leje dhe po mendojnë të marrin raport mjekësor për të eksploruar Vice City pa ndërprerje.
Në Britani, raportimet sugjerojnë se punonjësit kanë rezervuar dhjetëra mijëra ditë pushimi rreth datës së lançimit. Në SHBA, një sondazh i kryer në tetor nga BambooHR zbuloi se 18% e punonjësve me pagë fikse planifikonin të merrnin pushim ditën e lançimit, ndërsa gjysma thanë se thjesht do të telefononin për të njoftuar se ishin të sëmurë.
Rusia nuk i ka shpëtuar këtij entuziazmi, megjithëse blerja zyrtare e lojës është një çështje tjetër. Sony, Microsoft dhe Take-Two, kompania mëmë e Rockstar, pezulluan shitjet në Rusi në vitin 2022, duke i bërë kartat bankare vendase të papërdorshme në dyqanet e tyre dixhitale.
Megjithatë, ekspertë rusë të lojërave kanë paraqitur mënyra për të anashkaluar kufizimet: llogari PlayStation të regjistruara në rajone të huaja dhe të financuara me karta bankare ose kuponë dhuratash nga jashtë, kode shkarkimi për Xbox që mund të përdoren përmes llogarive të regjistruara në rajone të mbështetura, si dhe llogari të përbashkëta ose me qira, të cilat ofrojnë akses më të lirë, por më të rrezikshëm.
Pritshmëritë kanë arritur deri në Ministrinë ruse të Mbrojtjes, e cila huazoi stilin karakteristik të posterave të GTA-së për një reklamë rekrutimi ushtarak, ku shfaqeshin ushtarë, tanke, avionë dhe slogani “Zgjidh misionin tënd!” – duke ofruar shërbimin ushtarak në jetën reale si alternativë.
Edhe ligjvënësit rusë janë përfshirë nga ethet e GTA VI. Nënkryetari i Dumës Shtetërore, Vladislav Davankov, tha se planifikon të luajë me djalin e tij pasi të përfundojë punën për buxhetin e vitit 2027 dhe shpreson që autoritetet të mos e bllokojnë lojën.
Rusia përballet gjithashtu me një problem të mundshëm të mungesave në punë. Një sondazh i Dream Job zbuloi se 26% e lojtarëve të rregullt planifikonin të merrnin pushim për lançimin. Madje, një kompani në Penza u ofroi punonjësve një ditë pushimi, me kusht që të provonin se zotëronin një konsolë lojërash, shkruan Rt.
Mikhail Vetrov, kreu i Shoqatës së Prodhuesve të Produkteve për Fëmijë në Rusi, ka propozuar krijimin e një videoloje vendase të ngjashme me GTA-në, të financuar nga shteti. Versioni i tij i propozuar do të ruante historitë detektive dhe aventurat, por do të hiqte glorifikimin e krimit.
“Në jetën reale, nuk do të donim të ndesheshim me personazhet e lojës”, tha ai, duke bërë thirrje për argëtim që promovon vlera të ndryshme.
Këto propozime i lënë lojtarët rusë përpara një zgjedhjeje të pazakontë: të pendohen, të regjistrohen në ushtri, të presin një alternativë vendase – ose të gjejnë një mënyrë tjetër për të hyrë në Vice City.