Është e lehtë të tregosh dashuri kur gjithçka shkon mirë. Por një kundërshtim, një refuzim apo një bisedë e pakëndshme mund të zbulojë anë të karakterit që as vetë nuk i ke vënë re

Është e lehtë të jesh i vëmendshëm kur gjithçka shkon mirë, i sigurt kur të tjerët të pranojnë dhe i qetë kur askush nuk të kundërshton. Por çfarë ndodh kur partnerja të thotë “jo”, kur të kritikon ose kur një marrëveshje nuk shkon sipas dëshirës sate?


Pikërisht në ato çaste zbulohet diçka e rëndësishme për mënyrën si ndërton marrëdhënie. Zgjedhjet e vogla, të përsëritura për vite, përcaktojnë si ndihet partnerja pranë teje.

Dëshiron të kesh të drejtë apo të kuptosh partneren?

Imagjino që partnerja të thotë: “Ti nuk më dëgjon”. Reagimi i parë mund të jetë mbrojtja. Kujton rastet kur e ke dëgjuar dhe përpiqesh t'i dëshmosh se gabon.

Ndoshta ajo e ka tepruar me përgjithësimin. Megjithatë, ndërsa kërkon argumente për t'u mbrojtur, mund të mos e kuptosh çfarë i ka munguar sot. Ti ndihesh i akuzuar; ajo, ende e padëgjuar.

Një pyetje e thjeshtë mund ta ndryshojë bisedën: “Çfarë nuk arrita të dëgjoj?”. Kjo nuk do të thotë të heqësh dorë nga këndvështrimi yt, por të përpiqesh ta kuptosh tjetrin përpara se të nxjerrësh përfundime.

A do të thotë forcë të mos tregosh emocione?

Shumë burra janë mësuar se duhet të kenë gjithmonë përgjigje, të ruajnë kontrollin dhe të mos e tregojnë lëndimin. Por kjo mund të krijojë heshtje në marrëdhënie.

Partnerja pyet çfarë ke. Ti përgjigjesh: “Asgjë”. Në të vërtetë je i shqetësuar, i lënduar ose thjesht nuk di si ta shprehësh ndjenjën. Ajo mbetet duke hamendësuar dhe distanca rritet.

Të thuash “Kjo më lëndoi dhe më duhet pak kohë ta kuptoj pse” nuk të bën më pak të fortë. Forcë është edhe të pranosh gabimin, të kërkosh ndihmë dhe ta dëgjosh një të vërtetë të pakëndshme pa e ndëshkuar personin që ta thotë, transmeton Telegrafi.

Si reagon kur dëgjon një “jo”?

Refuzimi mund të dhembë, qoftë kur partnerja nuk dëshiron intimitet, nuk pajtohet me një propozim apo kur dikush nuk pranon një takim tjetër. Por ndjenja e zhgënjimit dhe sjellja që zgjedh pas saj janë të ndryshme.

Mund të shprehësh pakënaqësinë, të kërkosh sqarim ose thjesht ta respektosh vendimin. Pyetja kryesore është: a mund të thotë personi pranë teje “jo” pa pasur frikë nga zemërimi, heshtja ndëshkuese apo presioni?

Edhe ti duhet të mund të refuzosh pa shpjegime pafund. Kufijtë personalë e bëjnë më të sinqertë edhe pranimin. Një “po” për të shmangur konfliktin mund të grumbullojë pakënaqësi.

Po jeton sipas dëshirave të tua apo pritshmërive të të tjerëve?

Ji i suksesshëm, fito mirë, merr iniciativa, mos u trego tepër emocional, por ji i ndjeshëm. Mes kaq shumë kërkesash, nuk është e vështirë të humbasësh lidhjen me atë që dëshiron vërtet.

Mund të ndërtosh një jetë që duket e përkryer nga jashtë dhe prapë të mos ndihesh mirë në të. Edhe në çift, ia vlen të pyesësh: e dua këtë marrëdhënie ashtu siç është apo po përpiqem të ruaj pamjen e një çifti të lumtur?

Vlerat kanë kuptim vetëm kur shihen në veprime. Nëse vlerëson sinqeritetin, tregoje edhe në bisedat e vështira. Nëse vlerëson besueshmërinë, mbaji premtimet. Nëse kërkon afërsi, kushtoji kohë, transmeton Telegrafi.

A e njeh vërtet njeriun që ke pranë?

Pas shumë vitesh bashkë, krijohet bindja se e di çfarë mendon, çfarë dëshiron dhe pse mërzitet partnerja. Por njerëzit ndryshojnë. Ndryshojnë qëndrimet për punën, prindërimin, trupin, seksualitetin dhe të ardhmen.

Në vend që ta marrësh përgjigjen si të mirëqenë, pyet: “Çfarë të bën mirë tani?”. Kjo mund t'ju afrojë. Duhet ta dëgjosh përgjigjen edhe kur të befason.

A e merr përgjegjësinë për sjelljen tënde?

“Po të fliste më ndryshe, do ta dëgjoja”. “Po të më vlerësonte më shumë, do të isha më i dashur”. Këto fjali mund të përmbajnë një pjesë të së vërtetës, por nëse çdo ndryshim kushtëzohet nga sjellja e tjetrit, të dy mund të mbeten duke pritur.

Mund të mos e kontrollosh reagimin e partneres, por mund të vëresh kur e ndërpret, kur shmang bisedën ose kur premton më shumë sesa realizon. Përgjegjësia fillon kur pranon: “Kjo që po bëj nuk po e ndihmon marrëdhënien që dua të ndërtoj”.

Kush je kur askush nuk të sheh?

Është e lehtë ta quash veten të kujdesshëm, të pjekur dhe të besueshëm. Më e vështirë është t'i tregosh këto cilësi kur je i lodhur, i zhgënjyer ose i kritikuar.

Kujdesi shihet kur dëgjon një temë që nuk të intereson. Besueshmëria, kur e mban fjalën edhe në rrethana të papërshtatshme. Pjekuria, kur pranon se ke gabuar.

Asnjë marrëdhënie nuk është pa konflikte dhe askush nuk përgjigjet gjithmonë në mënyrën më të mirë. Por në bisedën e ardhshme të vështirë, mund t'i bësh vetes një pyetje: “A na afron reagimi im me marrëdhënien që duam të ndërtojmë?”.

Përgjigjja do të shihet më shumë në sjelljen tënde sesa në fjalët që përdor për ta përshkruar veten.

Marrëdhënia nuk ndërtohet nga ajo që premton në ditët e lehta, por nga veprimet e përditshme. /Telegrafi/