Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe e gjeti kryeministrin Edi Rama në Manastir, qytetin ku 118 vite më parë u hodhën themelet e alfabetit të përbashkët kombëtar. Në Europe House, Rama zhvilloi një takim me studentë dhe të rinj shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Presheva, me të cilët diskutoi për bashkëpunimin ndërmjet hapësirës shqiptare dhe perspektivën e përbashkët evropiane. Gjatë bashkëbisedimit, kreu i qeverisë shqiptare propozoi krijimin e një biblioteke dixhitale mbarëkombëtare, si një hap konkret për të afruar të rinjtë dhe për të lehtësuar aksesin në trashëgiminë kulturore dhe dijen shqipe.