Një i ri nga Këlcyra i është drejtuar redaksisë sonë për të denoncuar atë që e konsideron një padrejtësi në procesin e aplikimit për t'u bërë pjesë e Policisë së Shtetit, në pozicionin e Patrullës së Përgjithshme.
Bëhet fjalë për Klement H., i cili thotë se ka përfunduar fazat e konkurrimit dhe ka marrë rezultate të mira në testimet e zhvilluara. Sipas të dhënave që ai ka përcjellë në redaksi, në testin me shkrim ka marrë 59 pikë, në testin fizik 88 pikë, ndërsa në vlerësimin psikologjik ka arritur 26.4 pikë nga 30 të mundshme.
Megjithatë, më 22 nëntor, rreth orës 14:00, ai është njoftuar përmes një telefonate nga strukturat e Burimeve Njerëzore të Policisë së Gjirokastrës se ishte skualifikuar, pasi nuk përmbushte kriteret e besueshmërisë. Sipas tij, nuk i është dhënë një shpjegim i detajuar për këtë vendim dhe ai dyshon se shkak mund të jetë një ngjarje e ndodhur 11 vite më parë.
Ai tregon se më 7 shtator 2015 është ndaluar nga një patrullë policie në Këlcyrë, pasi po drejtonte një motoçikletë 49 kubikë pa leje drejtimi. Sipas pretendimit të tij, motori ishte i tillë që nuk kërkonte leje drejtimi sipas rregullave të asaj kohe. Ai thotë se u mbajt në paraburgim për disa ditë dhe se më pas Gjykata vendosi lirimin e tij dhe kthimin e motoçikletës.
Pikërisht kjo ngjarje, sipas tij, mund të jetë regjistruar në sistemet e Policisë dhe të ketë ndikuar në vlerësimin e besueshmërisë gjatë procesit të aplikimit. Ai ngre pikëpyetje se përse një episod i para më shumë se një dekade vazhdon të ndikojë në të ardhmen e tij, ndërkohë që, siç shprehet, dëshmia e penalitetit i rezulton e pastër dhe nuk figuron i dënuar.
I riu kërkon që institucionet përgjegjëse t'i japin një shpjegim konkret për arsyen e skualifikimit, si dhe të shqyrtojnë rrethanat e ngjarjes së vitit 2015. Ai thekson se nuk kërkon një favor apo trajtim të veçantë, por një vlerësim të drejtë dhe transparent të rastit të tij.
Përtej kësaj çështjeje, ai vjen nga një familje që, sipas tij, përballet me vështirësi të mëdha ekonomike. Babai i tij është i moshuar dhe i sëmurë, ndërsa nëna kujdeset për vëllain 26-vjeçar, i cili është paraplegjik dhe jeton në karrocë me rrota. I riu thotë se dëshiron të punësohet jo vetëm për të ndërtuar të ardhmen e tij, por edhe për të qenë një mbështetje për familjen, e cila ka nevojë për ndihmën e tij.
Një tjetër detaj që e shoqëron historinë e Klementit është edhe një gjest human i kryer në tetor të këtij viti. Në një aksident të ndodhur në zonën e Bishtit të Zhurit, në autostradën Lushnjë–Grabian, ai ndaloi për t'i ardhur në ndihmë një çifti që ndodhej në automjetin e aksidentuar. Sipas dëshmisë së personit që e raportoi rastin në redaksinë tonë, Klementi u gjend pranë tyre në ato momente të vështira dhe i mbështeti deri në qetësimin e situatës.
Sot, i riu që shpresonte të niste karrierën në Policinë e Shtetit thotë se ndihet i zhgënjyer dhe i shqetësuar, pasi një çështje e së kaluarës mund t'i ketë mbyllur dyert për të ardhmen që kishte planifikuar.
Përmes JOQ Albania, ai kërkon një përgjigje nga Policia e Shtetit dhe një shqyrtim të plotë të rastit, në mënyrë që të kuptojë arsyen konkrete të skualifikimit dhe nëse vendimi mund të rishikohet.
JOQ Albania është e hapur për një reagim nga Policia e Shtetit lidhur me arsyet e skualifikimit, kriteret e besueshmërisë dhe pretendimet e të riut për ngjarjen e vitit 2015.