Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Daniel Serwer në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 74-t të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është profesori amerikan Daniel Serwer.

Serwer: Pa njohjen e Kosovës, Serbia s’mund të hyjë në BE

4 o. më parë / 22 nën 2026 20:39
serwer

Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa i normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, gjë që, sipas tij, nënkupton njohjen e Kosovës dhe shkëmbimin e ambasadorëve mes dy vendeve.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Serwer ka deklaruar se kushtëzimi i Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është i qartë për vendet anëtare të BE-së.

“Është shumë e qartë për këdo që ka tru në Beograd se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian derisa të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që sipas meje do të thotë ta njohë dhe të shkëmbejë ambasadorë me Kosovën”, ka thënë Serwer.

Gjatë diskutimit, Surroi ka theksuar se ky qëndrim është i shkruar si politikë zyrtare vetëm në Washington, ndërsa ka rikujtuar se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë, Serwer ka thënë se të paktën pesë shtete të tjera anëtare të BE-së nuk do ta pranonin Serbinë në Union pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Surroi ka vlerësuar se ky numër mund të jetë edhe më i madh.

Serwer ka thënë se nuk e sheh të nevojshme që kushtet ndaj Serbisë të përsëriten vazhdimisht, pasi, sipas tij, ato janë të qarta prej kohësh. Ai ka shprehur më shumë shqetësim për mungesën e përparimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, Kosova po përballet me një të ardhme më të vështirë sesa e kaluara, pjesërisht edhe për shkak të qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Nuk kam nevojë të shkruaj dhe të bërtas kushtet, sepse mendoj se kushtet kanë qenë prej kohësh shumë, shumë të qarta. Jam shumë më i shqetësuar për atë që thua për Kosovën dhe mungesën e përparimit të saj drejt Këshillit të Evropës dhe drejt kandidaturës. Atje, mendoj, e di, përballeni me një të ardhme shumë më të vështirë se e kaluara. Dhe është më e vështirë pjesërisht për shkak të amerikanëve”, ka thënë ai.

Serwer: Gazi amerikan është shumë i shtrenjtë, s’është çështje sigurie

4 o. më parë / 22 nën 2026 20:19
daniel serwer

Profesori amerikan Daniel Serwer ka vlerësuar se theksi i vendosur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në shitjen e gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Ballkanin Perëndimor është “i ekzagjeruar në mënyrë groteske”, duke theksuar se ky gaz është shumë i shtrenjtë dhe se çështja lidhet më shumë me ekonominë sesa me sigurinë.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Serwer ka thënë se Kosova nuk ka infrastrukturën e nevojshme për ta përdorur gazin në masë të madhe, ndërsa ndërtimi i saj do të kërkonte investime dhe punime të konsiderueshme.

“Çështja e LNG-së për mua nuk është realisht një çështje sigurie. Është para së gjithash një çështje ekonomike. LNG-ja amerikane është shumë e shtrenjtë. Kosova nuk ka infrastrukturë për të përdorur shumë gaz”, ka deklaruar Serwer.

Ai ka krahasuar ndërtimin e infrastrukturës së gazit me punimet e mëdha që do të nevojiteshin në Prishtinë, duke thënë se ndërhyrjet aktuale në rrugët e kryeqytetit nuk janë asgjë në krahasim me ato që do të duheshin për të krijuar një infrastrukturë të tillë.

Serwer ka thënë se ekspertët duhet të vlerësojnë nëse një investim i tillë është ekonomikisht i realizueshëm, ndërsa ka theksuar se siguria energjetike nuk varet vetëm nga gazi, por ka edhe shumë përbërës të tjerë.

Sipas tij, gazi amerikan mund të jetë më i përshtatshëm për Bosnjë e Hercegovinën sesa për Kosovën, ndërsa edhe Serbia mund të përfitojë nga kjo, megjithëse, siç ka thënë ai, nuk është në dijeni që amerikanët të kenë ushtruar shumë presion ndaj Serbisë për këtë çështje.

Serwer: Ballkani nuk është në radarin e Washingtonit

4 o. më parë / 22 nën 2026 20:10
daniel serwer

Profesori amerikan Daniel Serwer ka thënë se Ballkani nuk është në fokusin e politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se kjo situatë ka vazhduar prej vitesh.

Në një bashkëbisedim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Serwer ka vlerësuar se nuk ka gjasa që rajoni të rikthehet në vëmendjen e Washingtonit në një të ardhme të afërt.

“Ballkani në një farë mënyre nuk është në radarin e Washingtonit. Nuk ka qenë prej vitesh”, ka thënë Serwer.

Ai ka përmendur si përjashtim rastin e liderit të serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, për të cilin ka thënë se ka arritur të sigurojë qasje në Shtëpinë e Bardhë dhe ta përdorë atë për heqjen e sanksioneve ndaj vetes dhe shumë personave të tjerë.

Sipas Serwerit, ky rast tregon se qasja në administratën amerikane mund të sigurohet përmes interesave financiare.

“Mësimi këtu është mjaft i qartë. Washingtoni është në shitje. Kjo është shumë e pakëndshme për mua ta them”, ka deklaruar ai.

I pyetur nga Surroi nëse presidenti amerikan, Donald Trump, ishte ndier në siklet për këtë rast për shkak të dyshimeve për korrupsion, Serwer është përgjigjur se nuk e kupton pse ai do të ndihej i parehatshëm me pasurimin e të tjerëve, kur vetë është i prirë të pasurohet.

“Nuk e di pse ndihej kaq në siklet me këtë, kur ndihet kaq rehat me pasurimin e vet. Por do të thosha se është pak më pak tolerant ndaj pasurimit të të tjerëve sesa ndaj të vetit”, ka thënë Serwer.