Detaje shqetësuese kanë dalë në dritë nga hetimi për një 14-vjeçar në Greqi, i cili dyshohet se kishte planifikuar të sulmonte disa bashkëmoshatarë që, sipas pretendimeve të tij, e bullizonin vazhdimisht në shkollë. Sipas raportimeve të mediave greke, mes tyre edhe televizioni STAR, adoleshenti përjetonte fyerje dhe ngacmime për shkak të origjinës së nënës së tij dhe vështirësive në të folurit e gjuhës greke.
Hetimet zbuluan se i mituri kishte kërkuar në internet mënyra për të siguruar një armë, kishte mbledhur informacione për shkollat ku studionin bashkëmoshatarët që e ngacmonin dhe kishte parë video të sulmeve të armatosura në shkolla jashtë vendit. Madje, sipas raportimeve, ai dyshohet se kishte menduar të filmonte një sulm dhe t’i publikonte pamjet në internet. Në përpjekje për të siguruar një armë, kishte kontaktuar një person përmes një aplikacioni dhe i kishte paguar 100 euro, por nuk e kishte marrë kurrë atë.
Aktiviteti i dyshimtë në internet u evidentua nga administruesit e platformës, të cilët njoftuan Shërbimin Kundër Terrorizmit në Greqi. Autoritetet nisën verifikimet dhe përfshinë në proces edhe Prokurorinë për të Miturit, e cila kërkoi një vlerësim psikiatrik për 14-vjeçarin.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, policia nuk kishte arritur në përfundimin se adoleshenti synonte të vriste bashkëmoshatarët, por vlerësonte se mund të kishte pasur në plan t’i lëndonte. Ngjarjet që po hetohen kanë ndodhur disa muaj më parë. Ndërkohë, 14-vjeçari raportohet se po përpiqet të kapërcejë periudhën e vështirë me mbështetjen e familjes së tij.
