Arrestimi i një babai dhe vajzës së tij me origjinë meksikane nga agjentët e imigracionit amerikan (ICE), në aeroportin e Seattle-it, ka shkaktuar reagime të forta publike dhe politike në shtetin e Uashingtonit. Ngjarja ndodhi të shtunën në mëngjes, ndërsa dy personat po përgatiteshin të hipnin në një avion të Alaska Airlines. Sipas ICE, Ricardo Larondo Mendoza dhe vajza e tij, Sofia Hernandez Mejia, u arrestuan për tejkalim të afatit të vizave.

Agjencia pretendon se gjatë arrestimit të babait, udhëtarë të tjerë ndërhynë dhe penguan agjentët, ndërsa vajza hodhi kafe të nxehtë drejt tyre. Për këtë arsye, ajo pritet të përballet edhe me akuza për sulm ndaj një oficeri federal.

Megjithatë, pamjet e arrestimit, ku agjentët civilë i rrëzojnë dhe i tërheqin zvarrë dy personat, kanë shkaktuar kritika të shumta. Aeroporti i Seattle-it shprehu zemërimin për incidentin, ndërsa Alaska Airlines deklaroi se nuk kishte marrë informacionin e duhur paraprak për operacionin.

Avokatja e familjes, Olia Katala, kundërshtoi pretendimet e autoriteteve, duke theksuar se klientët e saj nuk kanë precedentë penalë dhe po ndiqnin një proces ligjor për statusin e tyre të imigracionit. Edhe dëshmitarët kanë vënë në pikëpyetje mënyrën e ndërhyrjes, duke deklaruar se agjentët nuk kishin treguar shenja identifikimi përpara se të sulmonin dy personat. Njëri prej tyre tha se kafeja u derdh gjatë përplasjes dhe se nuk pa vajzën ta hidhte atë qëllimisht drejt agjentëve.

Në reagimin e tij, guvernatori demokrat i Uashingtonit, Bob Ferguson, kritikoi ashpër ICE-në, duke deklaruar se agjencia ishte jashtë kontrollit dhe duke kërkuar një sistem imigracioni më efektiv, etik dhe human. Ndërkohë, rrethanat e plota të arrestimit dhe pretendimet e palëve mbeten objekt debati.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: