Atrofia muskulare spinale, trajtim i personalizuar për fëmijët në Shqipëri. QSUT: Dy fëmijë marrin trajtimin specifik falas dhe raportojnë përmirësim të gjendjes
Pamela është një prej fëmijëve që po përballet me një sëmundje të rrallë gjenetike, atrofinë muskulare spinale të tipit 2. Për një kohë të gjatë, vogëlushja kishte vështirësi në kontrollin e trupit dhe lodhej shpesh, ndërsa për familjen çdo përmirësim përfaqëson një shpresë të re. Sot, falë një trajtimi të specializuar të siguruar në Shqipëri, gjendja e saj paraqitet më e mirë.
“Atrofia muskulare spinale është një sëmundje gjenetike që prek neuronet motorike, duke shkaktuar dobësim dhe humbje progresive të forcës muskulare. Në formën e tipit 2, fëmijët mund të arrijnë të qëndrojnë ulur, por kanë vështirësi në lëvizje dhe në kontrollin e muskujve. Në rastin e Pamelës, prania e një kopjeje të gjenit SMN2 është një element që mund të ndikojë në ecurinë e sëmundjes”, u shpreh mjekja Aida Bushati.
Por rasti i Pamelës është i veçantë në Shqipëri pasi për herë të parë në vendin ndodh që një fëmijë të marrë trajtim të personalizuar.
“Që prej qershorit të vitit të kaluar, QSUT ka mundësuar terapi specifike për Pamelën dhe një tjetër fëmijë me të njëjtën diagnozë. Bëhet fjalë për medikamente të specializuara, të miratuara nga autoritetet ndërkombëtare të barnave, FDA dhe EMA, të cilat synojnë të ndikojnë në ecurinë e sëmundjes”, tha Neuropediatre.
Për familjen e Pamelës, ndryshimi është tashmë i prekshëm. Ajo sot lodhe më pak dhe ka më shumë forcë të mbajë trupin
“Kemi që prej moshës një vit e gjysmë që e ndjekim dhe në fillim gjendja e saj ishte problematike. Lodhej shumë shpesh dhe nuk arrinte ta mbante mirë trupin.Tani ka marrë mjekimin dhe vajza ndihet më mirë. Gjendja e saj është përmirësuar dukshëm. Nuk lodhet më aq shpesh dhe ka më shumë forcë. Arrin ta mbajë trupin më mire, nuk rrëzohet më”, tha babai i vogëlushes.
Atrofia muskulare spinale është një sëmundje shumë e rrallë, Në Shqipëri diagnostikohet ccdo vit një fëmijë, por pavarësisht rrallësisë , përmirësimi i Pamelës përtej vlerës mjekësore, përfaqëson një mundësi të re për cilësinë e jetës së saj.
Gazetare: Sonila Mlloja
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



