Reshje intensive shiu parashikohen sot në disa zona të Shqipërisë. Sipas Institutit të Gjeoshkencave, intensiteti më i lartë pritet në qarkun e Shkodrës, ndërsa në Kukës, Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Elbasan parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive.
Në qarqet Durrës dhe Vlorë priten reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata. Në qarqet e tjera, reshjet do të jenë të dobëta deri lokalisht mesatare. Në zonat veriore dhe lindore, mbi 1000 metra lartësi, reshjet pritet të jenë në formë dëbore.
Paralajmërim për problematika
Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se shtrëngatat dhe intensiteti i lartë i reshjeve mund të shkaktojnë problematika, veçanërisht në qarqet Shkodër dhe Kukës.
Rreziqet përfshijnë rrëshqitje dherash dhe vërshime të ujit në zona të lokalizuara urbane. Shkalla e rrezikut varet edhe nga kapacitetet e sistemit të kanalizimeve.
Temperaturat dhe era
Temperaturat minimale dhe maksimale parashikohen të luhaten nga 14 në 16°C në zonat bregdetare, nga 13 në 15°C në zonat e ulëta dhe nga 7 në 10°C në zonat malore.
Era pritet të fryjë me intensitet mesatar deri të fortë.












