Moti i keq lë pa energji elektrike Pukën dhe disa fshatra përreth
Qyteti i Pukës dhe disa zona përreth kanë mbetur pa energji elektrike që prej mbrëmjes së kaluar, si pasojë e defekteve të regjistruara në rrjetin elektrik të transmetimit.
Jashtë funksionit ka dalë linja 35 kV që lidh nënstacionin e Fushë-Arrëzit me Pukën. Ky është rasti i dytë brenda një jave që kjo linjë pëson defekt, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike.
Probleme janë konstatuar edhe në linjën rezervë të emergjencës Koman-Pukë, duke vështirësuar rikthimin e furnizimit.
Sipas informacioneve paraprake, dëmtimi i linjave elektrike dyshohet se është shkaktuar nga erërat e forta dhe reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë zonën.
Pa energji elektrike kanë mbetur qyteti i Pukës dhe fshatrat Qafë-Mali, Gjegjan dhe Rrapë. Ndërprerja e furnizimit vijon të prekë banorët e këtyre zonave.




