Dhunë, kërcënime me thikë dhe armë zjarri - pesë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve në Kosovë

Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në qytete të ndryshme të Kosovës, përfshirë Podujevën, Prishtinën, Fushë Kosovën dhe Prizrenin.
Sipas raportit policor, në Podujevë, më 19 nëntor, rreth orës 22:00, është arrestuar një burrë kosovar, i dyshuar se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe më pas, me vullnetin e saj, ka shkuar te familjarët. I dyshuari, me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.
Një rast tjetër është raportuar në Prishtinë, më 22 nëntor, rreth orës 09:50, ku një grua dhe një burrë dyshohet se janë përleshur fizikisht pas një mosmarrëveshjeje. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, të dy janë liruar, ndërsa rasti do të vazhdojë në procedurë të rregullt.
Në Fushë Kosovë, më 22 nëntor, rreth orës 05:00, një grua shtetase e Shqipërisë ka raportuar se ishte sulmuar fizikisht dhe kërcënuar me thikë nga një burrë kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkohë, në Prishtinë, lidhur me një rast të raportuar më 21 nëntor, më 22 nëntor është arrestuar një burrë kosovar. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri dhe një karikator me 14 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Edhe në Prizren, më 22 nëntor, rreth orës 00:05, është arrestuar një burrë kosovar, i cili dyshohet se kishte shkuar në shtëpinë e një burri dhe kishte kanosur një grua. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Policia ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente. /Telegrafi/

































