Panik në koncertin në Kaliforni, persona të armatosur qëllojnë drejt turmës, 9 të plagosur
Nëntë persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri gjatë një koncerti në Kaliforninë Qendrore, pasi persona të armatosur hapën zjarr drejt turmës. Një 26-vjeçar ndodhet në gjendje kritike për jetën, pasi u qëllua në gjoks, ndërsa dy të plagosur të tjerë iu nënshtruan ndërhyrjeve kirurgjikale.
Sipas njoftimit të zyrës së sherifit, rreth 150 persona po ndiqnin një koncert privat kur një numër i paidentifikuar personash të armatosur hapën zjarr drejt të pranishmëve.
Koncerti zhvillohej në një qytet të vogël me rreth 3 mijë banorë. Në aktivitet merrnin pjesë artistë nga shtete fqinje të SHBA-së. Mediat lokale raportojnë se bëhej fjalë për një koncert me artistë të muzikës rap.
Mes nëntë të plagosurve, më rëndë është një 26-vjeçar, i cili u qëllua në gjoks dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Dy persona të tjerë, të moshës 19 dhe 22 vjeç, kanë marrë gjithashtu plagë të rënda dhe janë operuar. Sipas mediave lokale, 19-vjeçari u qëllua në bark, ndërsa 22-vjeçari në zonën e ijeve.
Gjashtë personat e tjerë kanë marrë plagë më të lehta.
Një nga të plagosurit u transportua në spital me helikopter, tre të tjerë me ambulancë, ndërsa pesë mbërritën në spitalet e zonës me mjetet e tyre.
Dyshime për përfshirje të bandave, ende asnjë arrestim
Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që të shtënat të kenë lidhje me përplasjet mes bandave kriminale. Megjithatë, autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera për motivet e sulmit.
Deri më tani nuk është raportuar për asnjë arrestim, ndërsa mbetet i paqartë edhe numri i personave që hapën zjarr.
Autoritetet kanë bërë të ditur se nuk ka më rrezik të menjëhershëm për sigurinë publike. Ndërkohë, hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.




